ELBASAN-Poli Boriçi, 52 vjeç është autori i i arrestuar i ngjarjes së ndodhur në lokalin ‘Art Cofee Bistro’ në Elbasan. Boriçi tentoi të vrasë me armë zjarri në lokal Ermir Kërtezin (Mir Bitocin). Policia me anë të njoftimit zyrtar raporton se pas ngjarjes së rëndë arrestoi autorin e dyshuar, duke i sekuestruar edhe armën e zjarrit.
Çfarë ndodhi në lokalin ‘Art Cofee Bistro’ në Elbasan
Pamjet tregojnë se, jashtë ambientit të lokalit, autori Poli Boriçi (personi me bluzë të bardhë) i afrohet nga pas Mir Bitocit dhe i vendos një armë zjarri pas koke. Bitoci reagon menjëherë duke i shtyrë dorën në cilën mbante armën autorit dhe largohet me vrap. Pas ngjarjes autori u largua, por arratisja i zgjati pak, pasi uniformat blu arritën ta arrestonin. Hetimet vijojnë për zbardhjen e rrethanave dhe motivit të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Tentoi të vriste me armë zjarri një shtetas, reagimi në kohë dhe me profesionalizëm i shërbimeve të Policisë çon në pranga autorin e dyshuar.
Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë me të cilën autori tentoi të vriste 50-vjeçarin.
Pas marrjes së njoftimit, rreth orës 13:00, se në ambientet e jashtme të një lokali, në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, një shtetas kishte tentuar të vriste me armë zjarri shtetasin E. K., 50 vjeç, shërbimet e Policisë organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë dhe veprimeve profesionale të kryera në kuadër të operacionit “Reagimi”, u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar, shtetasit P. B., 52 vjeç.
Njëkohësisht, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, armën e zjarrit pistoletë me të cilën autori tentoi të vriste 50-vjeçarin.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.