FIER-Prokuroria e Fierit ka dërguar për gjykim Klenis Kazazajn pasi tentoi të vrasë me armë zjarri Orges Buzin pas një konflikti banal. Kazazaj, më 30 Korrik 2023, në lagjen “Sheq i madh”, Fier, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin Orges Buzi, 34 vjeç, banues në Fier, i cili mbeti i plagosur.
Nga hetimet u provua se në orët e para të mëngjesit të 30 korrikut, Buzi (viktima) i cili ndodhej në shoqërinë e disa personave është konfliktuar me Kazazajn dhe shokun e tij, teksa këta të fundit i kanë shkuar me një 'Audi A8' me ngjyrë të zezë. Konflikti verbal nuk është mbyllur me aq dhe rreth një orë me vonë në 05:30, Kazazaj dhe shoku i tij janë kthyer në lokalin ku ndodhej Orges Buzi dhe nga brenda automjetit ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij. Pas plagosjes Kazazaj u arratis dhe u vendos në pranga pas rreth 2 vitesh në janar të vitit 2025.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat "Vrasja me dashje’ mbetur në tentativë ndaj shtetasit O.B., ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municiionit’ dhe ‘Moskallëzimi i krimit’.
NJOFTIMI I PROKURORISË-
Tentoi vrasjen e një shtetasi pas një konflikti banal, Prokuroria Fier dërgon në gjyq shtetasit E.N. dhe K.K. për tre vepra penale
Prokuroria Fier përfundon hetimet dhe dërgon për gjykim procedimin penal për vrasjen e mbetur në tentaivë ndaj shtetasit O.B
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit E.N. dhe K.K., për veprat penale ‘Vrasja me dashje’ mbetur në tentativë ndaj shtetasit O.B., ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municiionit’ dhe ‘Moskallëzimi i krimit’ parashikuar nga nenet 76-22, 278/1 dhe 300 të Kodit Penal.
Hetimet mbi procedimin penal nr. 904, viti 2023, lidhen me ngjarjen e ndodhur më datë 30.07.2023 në vendin e quajtur Kompleksi “Albes”, i cili ndodhet në lagjen “Sheq i Madh, Fier, ku si pasojë e goditjes me armë zjarri ka ngelur i plagosur rëndë shtetasi O.B.
Pas kryerjes së veprime hetimore të plota u provua se, më datë 30.07.2023, rreth orës 04.00, viktima O.B ka qenë ulur në lokalin e kompleksit “Albes” në shoqërinë e personave të tjerë dhe aty janë afruar me automjetin Audi A8 me ngjyrë të zezë edhe të pandehurit E.N dhe K.K, ku ndërmjet tyre ka pasur një debat banal dhe më pas të pandehurit E.N dhe K.K janë larguar me automjetin e tyre.
Më pas, rreth orës 05.30, rezulton se të pandehurit janë kthyer sërish në lokalin e kompleksit “Albes” dhe janë konfliktuar me fjalë me viktimën, dhe pasi i pandehuri E.N është futur në automjetin e tij, nga brenda automjetit të tij ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit O.B, i cili ka mbetur i plagosur rëndë. Në automjetin e shtetasit E.N ka qenë si pasagjer shtetasi K.K. Pas ndodhjes së ngjarjes të dy personat janë larguar.
Në kuadër të procedimit penal është njoftuar akuza dhe është marrë si i pandehur shtetasi E.N për veprën penale të parashikuar nga neni 76-22 dhe 278/1 dhe shtetasi K.K për veprën penale të parashikuar nga neni 300 i K.Penal.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit./ZËRI
