Aktualitet

Trafikuan 6 ton kokainë në BE/ Burg për vëllezërit Hoxhosmani, bosin e 'Cinco-s' dhe për Plarent Dervishajn

Të katërt janë të akuzuar nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal që trafikoi mbi 6 tonë drogë me vlerë rreth 411 milionë euro, nga Amerika Latine drejt Europës.

zh.ll
Trafikuan 6 ton kokainë në BE/ Burg për vëllezërit
të arrestuarit

TIRANË- Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest me burg" për vëllezërit Artur dhe Klevis Hoxhosmani, si dhe për Ermir Ndrejajn e Plarent Dervishajn. Të katërt janë të akuzuar nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal që trafikoi mbi 6 tonë drogë me vlerë rreth 411 milionë euro, nga Amerika Latine drejt Europës.

Vëllezërit Hoxhosmani u kapën pas një viti hetimesh, kryesisht pas rrëfimeve nga Erion Alibej, i cili u shpall "i penduar" dhe ka dhënë informacion kundër grupit të organizuar për trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës. 

Njoftimi i plotë:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Saida Dollani, sot më datë 11.09.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 57 akti, datë 03.09.2025 regjistrimi, mbi ankimin e E.N., K.H., A.H., P.D., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 77, datë 25.07.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar si e tillë nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale, për personat nën hetim A.H., D.P (alias D.B., alias E.S.), E.N., P.D., K.H., E.A. (alias E.D., alias A.D.) dhe I.Ll.

Ankim ndaj vendimit nr. 78, datë 27.07.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Marrjen në pyetje të personave nën hetim A.H., E.N., P.D., K.H., E.A. (alias E.D., alias A.D.) dhe I.Ll.”, dhe vendosi:

1.      Miratimin e vendimit nr. 77 akti, datë 25.07.2025 dhe të vendimit nr. 78 akti, datë 27.07.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në lidhje me të hetuarin A.H.

2.       Miratimin e vendimit nr. 77 akti, datë 25.07.2025 dhe të vendimit nr. 78 akti, datë 27.07.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në lidhje me të hetuarin K.H.

3.       Miratimin e vendimit nr. 77 akti, datë 25.07.2025 dhe të vendimit nr. 78 akti, datë 27.07.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në lidhje me të hetuarin P.D.

4.      Miratimin e vendimit nr. 77 akti, datë 25.07.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në lidhje me të hetuarin E.N.

5.      Mospranimin e ankimit të paraqitur nga i hetuari E.N. dhe mbrojtësi tij av. Ilirjan Muho, ndaj vendimit nr. 78 akti, datë 27.07.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

U shpall më datë 11.09.2025.

Grupi i tyre u godit nga SPAK në korrik, ku ranë në pranga 6 persona, ndërsa 7 të tjerë u shpallën në kërkim. Emra të njohur të botës së krimit, si Palurent Dervishaj, i penduari Erion Alibej, por edhe Hoxhosmani apo bosi i ‘Cincos’, Ermir Ndreaj, ishin pjesë e grupit me 16 anëtarë në total që trafikuan të paktën 6 ton kokainë, me vlerë tregu 411 milionë Euro. 

Për grupin kriminal, në pranga kanë përfunduar Artur dhe Klevis Hoxhosmani dhe Ermir Ndreaj, ndërsa u është komunikuar masa e sigurisë "arrest me burg", Plarent Dervishajt dhe Erion Alibejt. GJKKO ka liruar Ilir Lloshin, i cili rezulton të jetë arrestuar gabimisht nga SPAK. Personi i 7-të i shpallur në kërkim, është biznesmeni, Elidon Skëndaj, i njohur dhe me emrat Devid Patrut dhe Devid Boraj, i cili dyshohet se fshihet në Dubai. Nga hetimi rezultoi se ky grup ishte aktiv në vitet 2020-2021 në disa shtete europiane, përqendruar në trafikimin e kokainës dhe hashashit nga Kolumbia dhe Ekuadori drejt BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Droga fshihej mes konteinerëve, në paleta druri, kuti me banane ose në thasë me kakao./ZËRI

Poll

MOS HUMB