TIRANË-Policia e Tiranës ka dalë me një njoftim zyrtar pas të shtënave me armë zjarri në fshatin Zbarqe të Ndroqit, mbrëmjen e djeshme 3 shtator. Mësohet se tre vëllezër dhe djali i njërit prej tyre kanë qenë duke ngrënë së bashku, kur njëri prej tyre kishte me vete një armë gjahu, tip çifte, me të cilën ka qëlluar në ajër për qejf. Arma e zjarrit u gjet e hedhur mes shkureve, ndërsa 4 familjarët u shoqëruan në Komisariat. Katër personat e shoqëruar në polici mësohet se janë Sinan, Ramiz, Serxho dhe Dashamir Idrizi.
Njoftimi i policisë:
Në Sallën Operative të DVP Tiranë ka ardhur një telefonatë se në fshatin Zbarqe, Ndroq, ishin dëgjuar të shtëna me armë.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor. Gjatë veprimeve të para hetimore dhe kontrollit të zonës, është gjetur dhe sekuestruar një armë gjahu (çifte) dhe municion.
Për verifikimin dhe sqarimin e rrethanave të rastit, janë shoqëruar 4 shtetas në Komisariat.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të rastit.