TIRANË- Pas dhunimit të kamarierit 18-vjeçar, një tjetër akuzë është ngritur ndaj ish-shefit të qarkullimit rrugor në Vlorë, Ardian Isufit.
Rexhep Llacaj, një efektiv i Policisë Rrugore akuzon Isufin se kishte ndikuar në fshehjen e provave të një aksidenti rrugor në vitin 2021, ku mbeti e plagosur rëndë bashkëshortja e tij. Në një prononcim që ka dhënë për gazetarin Enrik Mehmeti, Llacaj, me një karrierë 25-vjeçare në Policinë Rrugore të Vlorës, tha se Ardian Isufi, i cili në atë kohë ishte OPGJ i ngjarjes, ndikoi në fshehjen e provave.
“Gjithshka ka nisur në datën 24 Janar të vitit 2021, kur bashkëshortja dhe fëmijët e mitur po kalonin rrugën dhe në atë moment vjen një automjet i cili e merr përpara bashkëshorten dhe traumatizon fëmijët. Bashkëshortja qëndroi në koma për një kohë të gjatë, ndërsa sot është e paralizuar dhe fëmijët janë traumatizuar. Kur kam shkuar pas disa ditësh për të kërkuar pamjet nëpër biznese, mu tha se mos u mundo kot se ngjarjen e kanë fshehur, kanë ardhur efektivë të tjerë që kishin ardhur më përpara dhe fshirë,”- tha Llacaj për ngjarjen e ndodhur 4 vite më parë. Ndërsa shtoi se kur Isufi u bë shefi i tij i kishte kërkuar zbardhjen e ngjarjes, por si përgjigje kishte marrë shkarkimin nga detyra.
Llacaj, i cili e akuzon Isufin si manipulator të ngjarjeve dhe i bën thirrje Prokurorisë që të rihapë dosjen e bashkëshortes së tij, por jo vetëm.
Si u rikthye në vëmendje Isufi?
Ish-shefi i "Rrugores" u vendos në shënjestër disa ditë më parë pasi dhunoi një kamarieri 18-vjeçar, i cili kishte çuar në tavolinën ku ndodheshin autorët një shishe uji më shumë se porosia. Kamarieri u dhunua nga Ardian Isufi, efektiv policie jashtë detyrës dhe ish-shef i qarkullimit rrugor të Vlorës, së bashku me Leart Bimon, person me të kaluar kriminale në prani të klientëve. Në konflikt ka ndërhyrë edhe pronari i hotelit, Vasil Bedinaj i cili kur ka parë skenën dhe faktin që kamerieri i tij është dhunuar, ka ndërhyrë duke e rrahur efektivin. Kjo ngjarje ka ndezur reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa kërkohet drejtësi për të riun dhe ndëshkim për autorët e dhunës. Mbi rastin ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama, i cili ka kërkuar që autori të dalë përpara drejtësisë dhe të përjashtohet përjetësisht nga Policia e Shtetit./ZËRI

