TIRANË- Kur kanë kaluar 2 vite nga bllokimi i fondeve të IPARD për bujqësinë, duket se ende nuk ka asnjë ndryshim. Një zyrtar i Komisioni Evropian i tha "Report TV" financimi për bujqësinë në Shqipëri nuk do të hapet. Sipas Komisionit Evropian, kjo çështje duhet parë me prioritet nga autoritetet shqiptare, në mënyrë që të korrigjohen gabimet e së shkuarës në menaxhimin dhe përdorimin e fondeve të BE-së. Në të njëjtin kthim-përgjigje nga KE bëhet me dije se autoritetet shqiptare kanë nisur një auditim për të gjitha pagesat e bëra nga fondet e IPARD II.
“Bashkimi Evropian është i gatshëm të vazhdojë të mbështesë fermerët shqiptarë, sektorin agroushqimor dhe zonat rurale në të ardhmen, me kusht që interesat financiare të Bashkimit Evropian të mbrohen siç duhet. Duke qenë se kemi të bëjmë me paratë e taksapaguesve të BE-së, presim që autoritetet shqiptare ta marrin shumë seriozisht këtë çështje. Një procedurë dypalëshe midis Komisionit Evropian dhe autoriteteve shqiptare është në vazhdim për të siguruar që veprimet e duhura korrigjuese të ndërmerren nga autoritetet kombëtare sa më shpejt të jetë e mundur. Në kuadër të kësaj procedure, Komisioni Evropian është informuar se qeveria shqiptare ka kontraktuar një firmë auditimi të jashtëm për të kryer një auditim të jashtëm gjithëpërfshirës mbi grantet dhe pagesat IPARD II, si dhe mbi sistemin e sapokrijuar të menaxhimit dhe kontrollit të brendshëm,”- thotë KE.
Si nisi zbulimi i skandalit me fondet?
Lajmi për abuzimet fillimisht u publikua në media, ku edhe u bë me dije se Komisioni Europian kishte pezulluar grantet për bujqësinë shqiptare nga programi IPARD, për shkak të korrupsionit dhe mos respektimit të procedurave ligjore nga AZHBR në shpërndarjen e tyre. Më pas, u pranua edhe nga vetë Ministria e Bujqësisë.
Vendimi u mor pas më shumë se 2 vite hetime nga OLAF, gjatë së cilave u zbulua se autoritetet shqiptare, përkatësisht AZHBR, nuk i kishin respektuar procedurat ligjore në shpërndarjen e granteve për fermerët duke bërë që një pjesë e madhe e fondeve të vidheshin. Madje disa raste u verifikuan dhe u zbulua se paratë ishin dhënë për investime fantazmë, të cilat nuk ekzistojnë fare.
Pas publikimit të skandalit, Ministria e Bujqësisë në një reagim për mediat theksoi se programi i mbështetjes nuk është ndërprerë, e se puna vijonte normalisht. Madje, tashmë ish-ministrja, Frida Krifca pretendonte se ato ishin procedura normale të Bashkimit Europian në kushtet kur ka nevojë të verifikohen shpenzime të dyshuara për aktivitet jo konform rregullave të përcaktuara. Kjo dosje tani është në duart e SPAK. Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bëri me dije më 28 shtator të vitit 2023 se kishte nisur hetimet. Lajmin e dha vetë kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili gjatë një takimi informal me gazetarët u shpreh se hetimi ishte në fazën e verifikimit paraprak. Por ende për rastin, hetimet nuk kanë përfunduar./ZËRI