TIRANË- Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar me një total prej 4 vitesh burg tre persona të përfshirë në një rast korrupsioni, ku ish-zyrtari i Kadastrës (ASHK) së Fierit. Po ashtu, janë dënuar edhe dy qytetarë akuzoheshin për ryshfet prej dy mijë eurosh në procesin e legalizimit të një banese.
Pas përfundimit të procesit gjyqësor dhe paraqitjes së pretencave nga SPAK, kryesuesja e trupës gjykuese, Fjorela Davidhi, shpalli fajtorë tre të pandehurit. Ish-punonjësi i Kadastrës, Endri Ngresi, u dënua me 3 vite burg dhe përjashtim nga çdo funksion publik për 5 vitet e ardhshme. Ardjan Kumaraku mori një dënim me një vit burg, ndërsa për të pandehurën Afërdita Vidhi nuk u dha dënim, ndonëse u shpall fajtore.
NJOFTIMI I PROKURORISË:
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr.17/2024, në ngarkim të të pandehurve Endri Ngresi, Ardjan Kumanaku dhe Afërdita Vidhi.”
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Flojera Davidhi, Erjon Bani dhe Erjon Çela, me vendimin Nr. 54, datë 30.07.2025 vendosi: 1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Endri Ngresi për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259, paragrafi i dytë i K.Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim. 2. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Endri Ngresi do të fillojë nga dita e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi” dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
3. Në zbatim të nenit 35, paragrafi i parë të K.Penal, heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh.
4. Deklarimin fajtor të të pandehurit Ardjan Kumanaku, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, paragrafi i dytë dhe 25 të K.Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
5. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Ardjan Kumanaku do të fillojë nga dita e ekzekutimit të vendimit gjyqësor dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
6. Deklarimin fajtore të të pandehurës Afërdita Vidhi, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, paragrafi i dytë dhe 25 të K.Penal.
7. Përjashtimin e të pandehurës Afërdita Vidhi nga dënimi, sipas parashikimit të nenit 52/a të K.Penal.
8. Në zbatim të nenit 190, pika 1 të K.Pr.Penale, telefoni celular i markës “Samsung Galaxy A10”, bashkuar me procedimin në bazë të urdhrit “Për bashkimin e provës materiale”, datë 27.01.2025, t’i kthehet përdoruesve të tij, shtetasve Afërdita Vidhi dhe K.V.
9. Shpenzimet e fazës hetimore sipas formularit përkatës dhe ato gjyqësore sipas formularit bashkëlidhur, t’i ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.
10. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit gjyqësor të arsyetuar./ZËRI