FIER- Azgan Mërnica do të kalojë të gjithë jetën në burg për vrasjen e efektivit të Policisë së Shtetit, 29-vjeçarin Novruz Cenalia në fshatin Baltez. Vendimi u mor sot nga Gjykata e Fierit, duke dalë në të njëjtin përfundim si pretenca e dhënë nga Prokuroria e Fierit.
Vendimi i Gjykatës së Fierit:
“Në datën 30.07.2025, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi së shqyrtuari kërkesa penale me palë:
• KËRKUES:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier: Përfaqësuar nga Prokurori z. Denis Hyka
• I PANDEHUR:
A.M., përfaqësuar në gjykim me avokatin Xhevair Morina, anëtar i Dhomës së Avokatisë Fier
• OBJEKTI:
Gjykimin e procedimit penal që bën fjalë për veprën penale të “Vrasja e punonjësve të policisë së shtetit” parashikuar nga neni 79/b i Kodit Penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” e parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal, dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” e parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.
• VIKTIMA:
1. I.A.C. (në mungesë)
2. M.C. (në mungesë)
Në përfundim të gjykimit, zhvilluar në prani të përfaqësuesit të Prokurorisë z. Denis Hyka, në prani të të pandehurit A.M. dhe të avokatit të tij z. Xhevair Morina, në mungesë të viktimës A.C. dhe M.C., Gjykata pasi shqyrtoi në tërësi materialet e çështjes dhe mori në konsideratë provat e marra në seancë gjyqësore, të zhvilluara sipas rregullave të gjykimit të shkurtuar, dëgjoi konkluzionet përfundimtare nga palët, në të cilën u kërkua:
VENDOSI:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M. për kryerjen e veprës penale “Vrasja e punonjësit të policisë së shtetit” parashikuar nga neni 79/b i Kodit Penal, në dëm të punonjësit të policisë së shtetit, viktimës N.C., dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M. për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278 paragrafi 1 i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 7 (shtatë) vjet burgim.
3. Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M. për kryerjen e veprës penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, e parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim.
4. Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, me bashkim të dënimeve, dënimin e të pandehurit A.M. me burgim të përjetshëm.
5. Në masën e dënimit të mbahet parasysh edhe periudha e vuajtur në paraburgim nga data e arrestimit të tij më 16.05.2024 ora 01:50 e në vijim. Dënimi me burgim të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
6. Në bazë të nenit 190, pika 1, germa “b”, të K.Pr. Penale, provat materiale të sekuestruara (……………….)…
7. Në aplikim të nenit 393 të K.Pr. Penale, shpenzimet proceduriale, në fazën e hetimeve paraprake si dhe ato gjyqësore, i ngarkohen të pandehurit A.M.
8. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.
U shpall në Fier, sot më datë 30.07.2025.
GJYQTARËT:
-Elira Hroni
-Miranda Nakaj
-Vladimir Çjapi”.
Ngjarja ndodhi më 13 maj 2024 në fshatin Baltëz të Fierit. Konflikti mes viktimës dhe të riut ka lindur për shkak se ky i fundit, ndërsa drejtonte automjetin e tij, është futur në kthesë me shpejtësi, duke u kthyer në rrezik për të gjithë të tjerët.
Pasi e ka parë vetë skenën, Novruz Cenalia i ka tërhequr vëmendjen të riut, por Mërnica nuk e ka marrë "lehtë" kritikën. Menjëherë ka ndaluar makinën e tij, ka zbritur me çantën ku kishte armën e zjarrit dhe qëlloi me plumb në fytyrë efektivin duke i marrë jetën në vend./ZËRI