
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkoi rikualifikimin e akuzës për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, ish-zëvendës ministrin Klodjan Rrepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, të cilët janë marrë si të pandehur në dosjen e koncensionit të Sterilizimit. Kërkesa e gjyqtares Fjorela Davidhi u pranua nga dy prokurorët e Prokurorisë së Posaçme Ened Nakuçi dhe Edvin Kondili. Tashmë Beqaj dhe Rrjepaj akuzohet akuzohen për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”. Ndërsa biznesmeni Rrapaj akuzohet për "vjedhje me pasoja të rënda e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” sipas nenit 134 të Kodit penal.
Rikualifikimi i akuzës rrit dënimin me burg për tre të pandehurit.
Beqaj akuzohej për shpërdorim detyre, vepër penale që dënohej deri në 7 vite burg maksimalisht, ndërsa tani sipas akuzës vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën sipas nenit 135 të Kodit penal, parashikon burg deri në 10 vite, ndërsa vepra penale bashkëpunim e kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal parashikon dënim nga 2 deri në 5 vite burg sipas nenit 333/a!
Ndërsa neni 334 parashikon që dënimi që do t’i jepet të akuzuarve për vjedhje duke shpërdoruar detyrën, do t’i shtohen 5 vite në kuadër të grupit kriminal. Gjatë seancës, biznesmeni Rrapaj pati një shqetësim shëndetësor, ku humbi ndjenjat. Të pandehurit i hodhën ujë për ta përmendur. Rrapaj akuzohet për shpërdorim detyre, mashtrim me pasoja të rënda dhe falsifikim dokumentesh dhe mashtrim me pasoja rënda kryer në bashkëpunim.

Avokatët e tyre kanë 10 ditë kohë për të kundërshtuar akuzat e ngritura ngs GJKKO. Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 9 janar. Ndërsa, Beqaj teksa dëgjoi rëndimin e akuzës ndaj tij pyeti trupën gjykuese se ku janë lekët.
“Më ngritët një akuzë tjetër, po ku janë lekët?”- ka thënë Beqaj.
Gjyqtarja Davidhi tha se për gjashtë të akuzuarit e tjerë do të qëndrojnë në fuqi akuzat e ngritura nga SPAK dhe konkretisht shpërdorim detyre dhe falsifikim i dokumenteve. Të akuzuarit e tjerë janë Naile Abazi, Genc Burazeri, Arben Gjata, Petref Mersini, Saimir Kadiu dhe Marsela Serjani.
Lidhur me dy koncensionet në Shëndetësi, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është vënë nën hetim nga SPAK prej më shumë se një viti. Beqaj është i dyshuar për shpërdorim detyre lidhur me 2 tendera të firmosura, për sterilizimin dhe check up. Këto 2 çështje janë duke u hetuar nga 3 prokurorë. Koncensionin e sterilizimit po e hetojnë prokurorët Edvin Kondilli dhe Ened Nakuçi, ndërsa atë të 'check up' po e heton prokurorja Elida Kaçkini.
Më 18 mars, SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve, ndërsa iu komunikoi akuzat 8 personave të tjerë të përfshirë në dosjen e 2 koncensioneve. Por aktualisht, Beqaj është në burg që prej datës 4 korrik, pasi akuzohet për abuzim me fondet e BE-së gjatë kohës së mbante postin e drejtorit të Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Detyrë që e ka mbajtur pasi liroi postin si ministër i Shëndetësisë. Për sterilizimin janë marrë të pandehur edhe 8 të tjerë, mes tyre ish-zv-ministri Klodian Rrjepaj dhe përfituesi i Koncesionit Ilir Rrapaj të dy në pranga që prej gushtit të vitit të kaluar. /ZËRI