Aktualitet

“Sterilizimi”/ GJKKO hedh shortin, kush do të gjykojë çështjen ndaj ish-ministrit Beqaj

Të pandehurit akuzohen për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup i strukturuar kriminal”.

I.F
“Sterilizimi”/ GJKKO hedh shortin, kush do të gjykojë
Ilir Beqaj

TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka hedhur shortin për çështjen e “Sterilizimit”, ku është marrë i pandehur ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish-zëvendës ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj. Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtari Bib Ndreca. Të pandehurit akuzohen për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup i strukturuar kriminal”.

Beqaj do të gjykohet për akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal në procedurat e koncesionit dhjetëvjeçar të sterilizimeve kirurgjikale prej 100 milionë eurosh.

Lidhur me dy koncensionet në Shëndetësi, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është vënë nën hetim nga SPAK prej më shumë se një viti. Beqaj është i dyshuar për shpërdorim detyre lidhur me 2 tendera të firmosura, për sterilizimin dhe check up. Këto 2 çështje janë duke u hetuar nga 3 prokurorë. Koncensionin e sterilizimit po e hetojnë prokurorët Edvin Kondilli dhe Ened Nakuçi, ndërsa atë të 'check up' po e heton prokurorja Elida Kaçkini.

Më 18 mars, SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve, ndërsa iu komunikoi akuzat 8 personave të tjerë të përfshirë në dosjen e 2 koncensioneve. Por aktualisht, Beqaj është në burg që prej datës 4 korrik, pasi akuzohet për abuzim me fondet e BE-së gjatë kohës së mbante postin e drejtorit të Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Detyrë që e ka mbajtur pasi liroi postin si ministër i Shëndetësisë./ZËRI

 

Poll

MOS HUMB