Aktualitet

Akuzat ndaj ish-kryeprokurorit të Vlorës, shtyhet seanca e shqyrtimit të dosjes “Toyota Yaris”

Të pandehurit akuzohen për ushtrim ndikimi të paligjshëm për të ndryshuar rrjedhën e hetimeve

I.F
Akuzat ndaj ish-kryeprokurorit të Vlorës, shtyhet seanca e shqyrtimit
Aurel Zarka

TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur shtyrjen e seancës paraprake të shqyrtimit të dosjes së Toyota Yaris. Për këtë dosje janë marrë të pandehur ish-kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka, Eriona Daupaj, e cila ndodhet në kërkim, avokati Radovan Çela, si dhe Astrit Vladi.

Të pandehurit akuzohen për ushtrim ndikimi të paligjshëm për të ndryshuar rrjedhën e hetimeve dhe lehtësuar të akuzuarit e dosjes së parë, të grupit që po kontrabandonte nëpërmjet linjës Angli-Belgjikë-Gjermani-Shqipëri rreth 3,4 mln euro cash, para që erdhën të futura në thasë e të fshehur në makina “Toyota Yaris”, që importoheshin dhe shiteshin në vendin tonë.

Astrit Vladi akuzohet si personi që ka përfituar nga këto ndikime. Ai ishte marrë i pandehur për dosjen e 3,4 mln eurove bashkë me kushëririn e tij, Elvis Vladi.

SPAK i akuzon po ashtu edhe për favorizim të Suel Çelës për t’i çliruar pasuritë e sekuestruara në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit. Hetimet ndaj tyre nisën mbi bazën e të dhënave nga SKY ECC që autoritetet franceze iu vendosën në dispozicion SPAK. Gjatë hetimeve u zbuluan komunikimet e të pandehurve për çështjet, ndërsa u pyetën dhe një numër i lartë gjyqtarësh e prokurorësh, si dhe njerëz të politikës, të cilët përmendeshin në komunikimet mes të pandehurve, por ndaj tyre nuk janë gjetur prova.

Çfarë është dosja “Toyota Yaris”

Kjo çështje është bërë si fillim publike nga Lulzim Basha, i cili akuzoi kreun e Grupit të Partisë Socialiste Taulant Balla si të përfshirë në marrjen e 3.4 milionë eurot. Akuzat, socialisti i cilësoi si shpifje duke ngritur padi ndaj tij për shpifje dhe dekonspirim të operacionit. Pikërisht kjo deklaratë ndryshoi planet e operacionit kriminal të Alfred dhe Elvis Vladit. Makinat supozoheshin të niseshin nga porti Ankonës por devijuan rrugën dhe u nisën nga porti i Barit. Balla e fitoi gjyqin ndaj Bashës, i cili u gjobit me 50 mijë lekë gjobë për shpifje./ZËRI

Poll

MOS HUMB