TIRANË-Në kuadër të hetimeve të SPAK për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike pas zbërthimit të komunikimeve në SKY, agjentët e BKH kanë zhvilluar sot një operacion ku u arrestua Bledar Cafi në Shkodër, ndërsa Endrit (Indrit) Dokle, anëtar i bandës së Durrësit u shpall në kërkim. Dokle i shpëtoi operacionit të Policisë dhe BKH-së, të cilët ushtruan kontrolle në ambientet që i përkasin 43-vjeçarit.
Endrit Dokle, anëtar i “Bandës së Durrësit”, u akuzua së bashku me 16 persona të tjerë, si pjesë e bandës famëkeqe, ku disa prej tyre janë dënuar për vrasje, plagosje, atentate, rrëmbime, trafik droge e qenie njerëzore. Ai ka drejtuar një prej fraksioneve të bandës dhe me Lulzim Berishën.
Dokle doli nga burgu më 14 janar 2020, ku në fakt duhet të qëndronte përjetë. Arsyeja e lirimit të tij, ishte sjellja e mirë. Dokle kishte qëndruar në qeli që prej vitit 2005. Ai njihet për armiqësinë e tij me Ervis Martinaj, pasi ky i fundit ka qenë i gatshëm të paguajë 500 mijë euro për ekzekutimin e ish-anëtarit të bandës së Durrësit. Ky fakt është zbardhur nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, i cili i kishte marrë 100 mijë euro parapagesë Martinajt për të vrarë Doklen, por ky objektiv nuk u arrit kurrë.
Pas masakrës së Fushë Krujës, ku mes 3 personave, u vra edhe Brilant Martinaj, kushëri i parë i Ervis Martinaj, Endrit Dokle u mor në pyetje. Megjithatë ai mohoi të kishte lidhje me ngjarjen. Edhe herë të tjera Dokle është shprehur se nuk i ka marrë për bazë deklarimet e Dumanit, duke mohuar pretendimet e një hakmarrjeje të mundshme ndaj Martinajt.
Në dhjetor të vitit 2024 autoritetet e drejtësisë në Dubai i kërkuan informacion palës shqiptare, Interpolit dhe SPAK lidhur me statusin e Endrit Dokles, ish-anëtar i bandës së Durrësit.
Emri i Dokles doli edhe në një tjetër procedim të SPAK. Më 2 qershor 2026, GJKKO dënoi Elvin Merlikën dhe Alket Xhixhën për sigurimin e kushteve për vrasjen e tij, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Po ashtu Endrit Dokle është edhe një nga të pandehurit e dosjes "Revanshi", ku sipas Prokurorisë së Posaçme, Endrit Dokle dhe Durim Bami formuan një aleancë së bashku me figura si Xhelal Rraja për të synuar dhe planifikuar ekzekutimin e ish-deputetit të Partisë Socialiste Arben Ndoka rreth janarit 2021.
Lidhur me operacionin e sotëm GJKKO ndaj Endrit Dokles ka ngritur akuza për trafik ndërkombëtar të kokainës./ZËRI


