Aktualitet

BE reagon për arrestimin e Vlora Hysenit: Po ndjekim nga afër luftën kundër krimit

I pyetur për çështjen, zëdhënësi i Komisionit Europian për zgjerimin, Guillaume Mercier, deklaroi se Komisioni nuk komenton raste që janë ende në proces gjyqësor apo hetim.

F.I
BE reagon për arrestimin e Vlora Hysenit: Po ndjekim nga afër
Vlora Hyseni

BRUKSEL- Bashkimi Europian ka reagur lidhur me dosjen e ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hysenit, ndaj së cilës është vendosur masa e sigurisë “arrest në shtëpi”. Brukseli ka përcjellë një mesazh të qartë mbështetjeje për institucionet shqiptare të drejtësisë dhe veçanërisht për SPAK.

I pyetur për çështjen, zëdhënësi i Komisionit Europian për zgjerimin, Guillaume Mercier, deklaroi se Komisioni nuk komenton raste që janë ende në proces gjyqësor apo hetim. Mercier bëri të ditur gjithashtu se kontaktet me autoritetet shqiptare vijojnë.

“Ne nuk komentojmë çështje që janë në proces, por ajo që mund të themi është se ne i ndjekim nga afër zhvillimet që lidhen me shtetin e së drejtës, veçanërisht reformat në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, fusha në të cilat Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm. Kemi besim të plotë tek aftësia e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur si SPAK, për të zbuluar, hetuar dhe ndjekur penalisht krimin e organizuar. Në një këndvështrim më të gjerë, ne jemi gjithmonë në kontakt me homologët shqiptarë”, u shpreh Mercier.

Ish-drejtoresha e SHISH është nën hetim për veprat penale që lidhen me përkrahjen e autorit të krimit dhe nxjerrjen e sekretit shtetëror ose të shërbimit. Hetimet janë vijim i dosjes së AKSHI-t, ku në fokus është edhe biznesmeni Ergys Agasi. 

Në kuadër të hetimit në pranga kanë rënë edhe Fatjon Kalluçi, shef tek laboratori Shkencor i Policisë, si edhe Embro Sulejmani, kryekamerieri i lokalit te rezidenca qeveritare në Durrës, i cili dyshohet se ka fshirë kamerat e sigurisë pas arrestimit të Ergys Agasit për të fshehur gjurmët e tij në këto ambiente. Në dorën e SPAK kanë rënë disa materiale sekrete të SHISH, ku 9 prej tyre janë gjetur në makinën e Agasit, në kuadër të kontrolleve në “Equos Resort” më datë 22 korrik. Me urdhër të GJKKO kontrolle u kryen edhe në banesën e ish-kryepolicit Ilir Proda.

Poll

MOS HUMB