SHKODËR-Bledar Cafi është arrestuar sot në orët e para të mëngjesit të sotëm, në banesën e tij në Shkodër, gjatë një operacioni të SPAK, Policisë së Shtetit, RENEA-s dhe BKH-së. Nga hetimet e kryera nga SPAK, Bledar Cafi akuzohet për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, si dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale.
Por kjo nuk është hera e parë që 50-vjeçari, i cilësuar si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore vendoset në pranga. Cafi është përmendur disa herë për ngjarje të ndryshime kriminale, kryesisht në zonën e Shkodrës. Ai u arrestua në vitin 2021 me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku shteti fqinj e akuzonte për pjesëmarrje në organizata kriminale. Më datë 4 qershor të 2020, Gjykata e Triestes në Itali e dënoi Cafin me 4 vite dhe 2 muaj burg për trafik droge në sasi të mëdha.
Cafi është akuzuar për vrasjen e Shyqyri Mustafajt në vitin 2001, por nuk është shpallur kurrë fajtor pasi hetuesit nuk kanë gjetur mjaftueshëm prova për ta ndëshkuar.
Lidhur me vrasjen u dënua me 14 vjet burg, vetë djali i viktimës, Fatos Mustafajn. Ky i fundit bëri vetëm 6 vite burg, derisa Prokuroria e Përgjithshme bëri kërkesë në Gjykatën e Lartë për rishikim të vendimit të dhënë, pasi ishin mbledhur prova të reja që fajësonin kushërinjtë Gani Cafi e Asllan Cafi, për vrasjen e Shyqyri Mustafajt.
Ai rezulton i arrestuar edhe nga oficerët e Interpolit në Lyon të Francës, pasi ndaj tij ishte lëshuar një udhër-arresti ndërkombëtar.
Cafi dhe vëllezërit e tij rezultojnë edhe pronarë të disa subjekteve në Shkodër. Një prej pasurive të paluajtshme që ndodhet në emër të Bledar Cafit është në bashkëpronësi me 7 trashëgimtarë të tjerë, e fituar me dëshmi trashëgimie nga babai i tij Asllani, e legalizuar në vitin 2011 dhe e kaluar në bashkëpronësi në vitin 2017. Mbi këtë pasuri është ngritur resorti “Prince Of Lake”, i cili përbëhet nga disa biznese si lavazh, Bar-Kafe, Restorant dhe hotel.
Në vitin 2024 me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, objekti tre katësh me një sipërfaqe ndërtimi në total 900 m2 u konfiskua me vendim të gjykatës.
"SPAK bën me dije se shtetasi Gëzim Cafi është deklaruar fajtor, me vendimin nr. 44, datë 26.09.2005, të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”,"-thuhej asokohe në vendimin e SPAK.
Po ashtu Cafi zotëron 45% të aksioneve në kompaninë e peshkimit “Dajlani” në Shkodër.
