Aktualitet

SPAK mbyll hetimet për laboratorin e kokainës në ‘Xibrakë’: Asnjë provë për përfshirjen e Olsi Ramës

SPAK ka dalë në përfundimin se Olsi Rama (vëllai i kryeministrit Edi Rama) nuk ka asnjë lidhje me laboratorin e kokainës në fshatin Xibrakë.

k.m.
SPAK mbyll hetimet për laboratorin e kokainës në
Olsi Rama dhe Gazment Bardhi

TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit ka dalë me një përfundim për dosjen "Xibraka". Pas përfundimit të hetimeve, SPAK ka dalë në përfundimin se Olsi Rama (vëllai i kryeministrit Edi Rama) nuk ka asnjë lidhje me laboratorin e kokainës në fshatin Xibrakë. SPAK nuk ka gjetur asnjë provë që implikon në këtë çështje Olsi Ramën, vëllanë e kryeministrit, ndaj edhe ka bërë sqarim publik për akuzat e ngritura nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi. Madje, Prokuroria e Posaçme sqaron se në kuadër të hetimeve mbi këtë çështje kanë bashkëpunuar ngushtë me autoritetet kompetente të Kosovës dhe ka rezultuar se nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm që mund të kishin qenë të implikuar në këtë çështje.

REAGIMI I PLOTË I SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për procedimin penal nr. 88 të vitit 2024, të regjistruar pas rifillimit të hetimeve të pezulluara të procedimit penal nr. 335/1 të vitit 2016. Ky procedim lidhej me veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Trafikimit të narkotikëve”, dhe “Kryerjes së veprave penale nga grupet e strukturuara kriminale”, të parashikuara në nenet përkatëse të Kodit Penal.

Hetimet rifilluan pas administrimit të një informacioni të dërguar nga deputeti Gazment Bardhi, i cili pretendoi përfshirjen e shtetasit, Ols Rama në veprimtari të paligjshme. Në kuadër të këtyre hetimeve, SPAK ka kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë bashkëpunimin me autoritetet kompetente të Kosovës. Nga hetimet ka rezultuar se nuk ekzistojnë prova apo fakte që të lidhin shtetasin Ols Rama me aktivitetin kriminal, për të cilin janë dënuar më parë disa individë. Gjithashtu, nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm për veprat penale në fjalë. Në përputhje me nenin 326 të Kodit të Procedurës Penale, më datë 23 dhjetor 2024, është vendosur pezullimi i hetimeve për procedimin penal nr. 88 të vitit 2024, pasi autorët e tjerë të veprave penale nuk janë identifikuar. Dosja i është dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të vijuar përpjekjet për identifikimin e autorëve.

Opozita e ka përmendur shpesh emrin e vëllait të kryeministrit Rama për përfshirje në rastin e “Xibrakës”. Por ishte deputeti i PD-së, Gazment Bardhi ai që kërkoi nga SPAK të rihapë hetimet për Olsi Ramën, dhe rolin e tij në laboratorin e kokainës në Xibrakë. Olsi Rama u kundërpërgjigj duke thënë se do të padiste për kallëzim të rremë Bardhin. Por siç zbuloi kryeministri Edi Rama, Bardhi nuk kishte bërë kallëzim për Olsi Ramën në SPAK, por vetëm kishte dorëzuar indicie për nisje të hetimit./ZËRI

Poll

MOS HUMB