Aktualitet

Ende në gjendje kritike! Përfundon operacioni i Janullatosit, kryepeshkopi shtrohet në kujdes intensiv

Operacioni u krye nga kirurgu Stelios Kapiris, Drejtor i Klinikës C Kirurgjike të Evangelismos dhe përfundoi pak para orës 18.30 të pasdites.

k.m.
Ende në gjendje kritike! Përfundon operacioni i Janullatosit,
Anastas Janullatos

ATHINË- Kryepeshkopi i Shqipërisë Anastas Janullatos e ka përfunduar operacionin. Sipas mediave greke, të cilat po ndjekin nga afër zhvillimet lidhur me gjendjen e tij shëndetësore kanë bërë me dije se Janullatos iu nënshtrua një operacioni në sistemin gastrointestinal. Operacioni u krye nga kirurgu Stelios Kapiris, Drejtor i Klinikës C Kirurgjike të Evangelismos dhe përfundoi pak para orës 18.30 të pasdites.

Tani Fortlumturia do të qëndrojë në Repartin e Mjekimit Intensiv, ndërsa pritet që edhe spitali të dalë me një njoftim zyrtar.

Siç është bërë e ditur, Kryepeshkopi ka pasur gjakderdhje gastrike, të cilën mjekët u përpoqën ta trajtojnë. Ky ishte edhe qëllimi i operacionit që u krye me nxitim. Gjatë ditëve që ka qenë i shtruar në Athinë, shëndeti i 95-vjeçarit ishte përkeqësuar  dhe orët e fundit ishte intubuar e transferuar në Repartin e Kujdesit Intensiv.

Fortlumturia e tij, Janullatos ndodhet në spitalin Evangelismos që prej të premtes së kaluar, kur u transferua në Athinë nga Tirana me avionë të Forcave Ajrore. Prej datës 30 dhjetor, ai ishte i shtruar në një klinikë në Tiranë. Diagnoza fillestare ishte një virus sezonal.

Megjithatë, duke pasur parasysh shëndetin dhe moshën e tij, virusi u shndërrua në një infeksion dhe ai pësoi gjakderdhje gastrike. Ndaj u pa e nevojshme transferimi i tij në Athinë, në të njëjtin spital ku edhe u kurua kur u prek nga pandemia e koronavirusit. Fillimisht gjendja e tij ishte e kontrolluar dhe as nuk u intubua, por me orët që kaluan gjendja e tij u përkeqësua dhe tashmë konsiderohet kritike./ZËRI

Poll

MOS HUMB