Aktualitet

Olsi Rama pas daljes nga SPAK: U pyeta si person në dijeni për dosjen Xibraka

Olsi Rama u paraqit në SPAK edhe në datën 28 Qershor, ku tha se ishte i gatshëm që të jepte llogari përpara prokurorëve, sa herë që do të thirrej prej tyre

E.K
Olsi Rama pas daljes nga SPAK: U pyeta si person në dijeni për dosjen
Olsi Rama

TIRANË- Vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama është thirrur sërish këtë të premte në Prokurorinë e Posaçme, ku u mor në pyetje nga hetuesit.

Pas daljes nga ambientet e Prokurorisë, Rama nuk dha shpjegime lidhur me statusin që ishte i pranishëm në SPAK, por tha shkurtimisht se shpjegimet e tij ia ka dhënë personave përkatës, duke iu referuar kështu prokurorit apo agjentëve të BKH që e kanë marrë në pyetje.

“Për çështjen “Xibraka” isha si person në dijeni, dhashë shpjegimet e mia. U pyeta për gjëra që i dini dhe ju, sqarova situatën. Do doja të më pyesnin akoma dhe më shumë. E kam thënë dhe më parë se jam gati të jap deklarimet e mia sa herë të më thërrasin. Do doja të më pyesnit për sportin dhe ekipin e Partizanit”, deklaroi Olsi Rama.

Mësohet se SPAK ka rihapur dosjen e pezulluar për personat e paidentifikuar në rastin “Xibraka” (laboratori i kokainës).

Opozita e ka përmendur shpesh emrin e vëllait të kryeministrit Rama për përfshirje në rastin e “Xibrakës”. Vetë Olsi Rama shprehu gadishmërinë e tij pak ditë më parë, për t’iu përgjigjur hetuesve të SPAK, sa herë që do të thirrej prej tyre.

Ishte deputeti i PD-së, Gazment Bardhi ai që kërkoi nga SPAK të rihapë hetimet për Olsi Ramën, dhe rolin e tij në laboratorin e kokainës në Xibrakë.

Olsi Rama u kundërpërgjigj duke thënë se do të padiste për kallëzim të rremë Bardhin. Por siç zbuloi kryeministri Edi Rama, Bardhi nuk kishte bërë kallëzim për Olsi Ramën në Spak, ndaj ky i fundit nuk kishte se si ta padiste për kallëzim të rremë.

Megjithatë, Bardhi pretendon se SPAK tashmë ka rihapur hetimet për Olsi Ramën, pavarësisht se ai vetë nuk ka dorëzuar kallëzim./ZËRI 

Poll

MOS HUMB