TIRANË-Protesta e dytë për Zvërnecin është njoftuar të mbahet më sot, 1 qershor në Sheshin Skënderbej, në orën 18:00, me sloganin “Zëri ynë, e ardhmja jonë”. Shqiptarëve u bëhet thirrje për pjesëmarrje me mesazhin “Mos hesht! Ngre zërin! Mbrojmë Zvërnecin, mbrojmë të ardhmen!”

Po ashtu Koalicioni Shqiptar Pro Familjes & Jetës ka paralajmëruar zhvillimin e “Marshimit për Jetën”, i planifikuar sot, 1 qershor, në orën 18:00, me nisje nga Sheshi Skënderbej dhe marshim drejt Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas organizatorëve, aktiviteti organizohet në mbështetje të familjes dhe fëmijëve, si dhe për të shprehur kundërshtimin ndaj terapive hormonale transgjinore në sistemin publik shëndetësor. Kësaj proteste do t’i bashkohet edhe Partia Demokratike.
Një ditë më parë protesta u zhvillua përpara Drejtorisë së Policisë së Shtetit në Tiranë kundër ndërtimeve në zonat e mbrojtura. Tubimi zgjati për më shumë se dy orë, ku qytetarët kërkuan anulimin e projektit në Zvërnec. ZËRI ndau pamjet nga protesta ku qytetarët kërkuan transparencë të plotë mbi ngjarjet e ndodhura në Zvernec, identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve të dhunës, sqarime publike nga drejtuesit e Policisë së Shtetit si dhe garantimin e sigurisë dhe të drejtave kushtetuese të qytetarëve./ZËRI
