
TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka dalë me një njoftim lidhur me situatën e zjarreve në vend. Gjatë orëve të fundit janë raportuar 7 vatra zjarri, nga të cilat 5 janë shuar, ndërsa 2 vijojnë të jenë aktive.
Në Bashkinë e Himarës janë fikur vatrat në Porto Palermo dhe në zonën Qafë Lerë Llaman. Vatra në vendin e quajtur Vumlo, pranë fshatit Kudhës, u izolua fillimisht, por për shkak të intensitetit të erës dhe temperaturave të larta, zjarri është përhapur në një sipërfaqe me terren të vështirë ndërhyrjeje. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë edhe në fshatin Kolsh, njësia administrative Mamëz, bashkia Kukës, vatrat e zjarrit vijojnë të jenë aktive.
NJOFTIMI:
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, gjatë orëve të fundit janë raportuar 7 vatra zjarri. Nga këto janë shuar 5 vatra zjarri dhe janë aktive 2 vatra zjarri. Pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e vatrave në:
1. Në fshatin Ndërfan, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë.
2. Në zonën e Astirit, njësia administrative 14, bashkia Tiranë.
3. Në lagjen “Ish-Fidanishtja”, njësia administrative Rajoni 5, bashkia Vlorë.
4. Në fshatin Amonicë, njësia administrative Sevaster, bashkia Selenicë.
5. Në fshatin Shijon, njësia administrative Bradashesh, bashkia Elbasan.
Aktualisht, janë aktive vatrat në:
1. Qarku Vlorë
Në bashkinë Himarë, janë fikur vatrat në Porto Palermo dhe në Zonën Qafë Lerë – Llaman, ndërsa vatra në vendin e quajtur Vumlo në afërsi të fshatit Kudhës u izolua fillimisht, por për shkak të intensitetit të erës dhe nxehtësisë, zjarri është përhapur në një sipërfaqe ku është e vështirë ndërhyrja për shkak të terrenit të vështirë. Po punohet me mjete rrethanore dhe pompa shpine nga forca të MZSH, Shërbimi Pyjor dhe ndërmarrjes së shërbimeve të bashkisë. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
2. Qarku Kukës.
Në fshatin Kolsh, njësia administrative Mamëz, bashkia Kukës, po punohet për fikjen e zjarrit të rënë në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane, me 2 automjete zjarrfikëse me 10 efektivë, 1 fadromë, 1 ekskavator, 4 kamionë nga Drejtoria e Shërbimeve të Bashkisë.