
TIRANË-Kryetarja e Komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, ka reaguar lidhur me sulmin kibernetit ndaj faqes zyrtare të Bashkisë ndodhur më 20 qershor. Përmes një njoftimi për mediat, Ristani sqaron se ky është sulmi i 15-të i ngjashëm në vetëm gjashtë muaj nga hakerat iranianë.
Ristani shprehet se sulmi i fundit kibernetik ndaj bashkisë Tiranë, u realizua përmes komprometimit të një licence origjinale të Microsoft, gjë që sipas saj tregon nivelin e lartë të koordinimit dhe sofistikimit të këtij akti. Ajo thotë se janë marrë masat e nevojshme për të rikthyer të gjitha sistemet, ndërsa shton se të dhënat janë të paprekura dhe nuk ka humbje informacioni.
Sulmi solli pasoja edhe në regjistrimi e fëmijëve për në çerdhe dhe kopshte, pasi në faqen online të Bashkisë ofrohen këto lloj shërbimesh. Në lidhje me këtë fakt, kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë shpreht se po ktyhen kontrolle për të rikthyer lidhjen sa më shpejt.
Njoftimi i plotë:
Të nderuar qytetarë të Tiranës,
Dua t’ju informoj se Bashkia e Tiranës ka qenë së fundmi objekt i një sulmi kibernetik shumë të sofistikuar. Ky është një ndër 15 sulmet e ngjashme që kemi regjistruar vetëm në gjashtë muajt e fundit, duke reflektuar realitetin e ri të kërcënimeve digjitale që përballim çdo ditë.
Sulmi i fundit u realizua përmes komprometimit të një licence origjinale të Microsoft, çka tregon nivelin e lartë të koordinimit dhe sofistikimit të këtij akti.
Dua të theksoj se, edhe pse platforma jonë nuk klasifikohet si infrastrukturë kritike sipas legjislacionit aktual dhe nuk është nën mbikëqyrjen direkte të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, ne kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për rikuperimin e plotë të sistemeve.
Të gjitha të dhënat janë të paprekura dhe nuk ka humbje informacioni.
Prej 80 serverëve total, 10 prej tyre janë nën vëzhgim.
Aplikacioni i çerdheve dhe kopshteve dhe rikthimi i lidhjes me AKSH-in për shërbimin e lejeve) po kontrollohen në mënyrë rigoroze për të garantuar që nuk ka mbetje malëare-i para se të aktivizohen.
Në këtë fazë, po kalojmë drejt një procesi rehabilitimi dhe forcimi të mëtejshëm të infrastrukturës sonë digjitale, në bashkëpunim me ekspertët më të mirë të sigurisë.
Ju falënderoj për mirëkuptimin dhe ju siguroj se do të vazhdojmë të punojmë me transparencë dhe përkushtim për të mbrojtur të dhënat dhe interesin e çdo qytetari.
Hakerët iranianë “Homeland Justice” sulmuan faqen zyrtare të Bashkisë më 20 qershor. Në një postim të publikuar në kanalin e tyre në Telegram, hakerat deklaruan se: “Të gjitha këto aktivitete janë kryer nga Bashkia e Tiranës, sot ata po ndëshkohen për veprimet e tyre. Ne kemi rrëzuar faqen e tyre, kemi marrë të dhënat dhe kemi fshirë serverët.”
Postimi u shoqërua me pamje të faqes zyrtare të Bashkisë së Tiranës para dhe pas ndërhyrjes, ku në versionin “pas sulmit” shfaqet një ekran bosh me efekt të dëmtimit grafik. Gjithashtu, grupi publikoi një model 3D të godinës së Bashkisë me mbishkrimin “yes, you were right”, që interpretohet si konfirmim për një sulm të paralajmëruar më herët./ZËRI