
KORÇË-Të pandehurit për çështjen e vrasjes së Martin Çeços do të njihen me një vendim të ri në lidhje me ngjarjen. Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka zhbërë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Korçë, e cila më 10 Shkurt 2025 kishte dënuar me gjithsej 83 vite burg të akuzuarit për vrasjen e Martin Çeços.
Trupa gjykuese e Apelit ka vendosur të prishë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Korçë dhe të kthejë aktet për rigjykim në të njëjtën gjykatë, por me një trupë tjetër gjykuese. Babai i viktimës është shprehur dakord për rigjykimin e çështjes në Shkallën e Parë, duke pritur drejtësi të plotë për vrasjen e të birit.
Konkretisht Gjykata e Korçës vendosi për Valter Mollaj 25 vite burg, Edlir Mollaj 23 vite burg, Martina Pajollari 20 vite burg, Blendi Angjo 15 vite burg. Por dënime të reja priten pas rikthimit të çështjes.
Si ndodhi vrasja
Mbrëmjen e 12 qershorit, Valter Mollaj kishte njoftuar kushëririn e tij Edlir Mollaj dhe kishte marrë bariun Blenti Angjo për t'u nisur nga fshati Marjan në një destinacion të panjohur. Pasi ata arritën në fshatin Kolanec, morën në vendin e parë të ndjerin dhe u drejtuan drejt rezervuarit 4 km larg fshatit në një terren të vështirë malor. Vetë Valter Mollaj i hodhi litarin në fyt të riut Martin Çeço dhe pasi u sigurua që ai humbi jetën, e hodhi në rezervuar duke lënë pandoflat jashtë, për ta inskenuar si vetëvrasje. Sipas hetimeve, shkaku i krimit ka qenë një lidhje e viktimës me Martina Pajollarin, e cila dyshohet se kishte nxjerrë në pritë Martin Çeçon./ZËRI