Aktualitet

Si paraqitet situata me zjarret: 13 vatra aktive, 2 helikopterë ndërhyjnë në Dajt, 2 avionë në Lurë

 Në Tiranë, operacioni vazhdon në malin e Dajtit, mbi tunelet e Qafë-Mollës, ku janë angazhuar 50 efektivë të FA-së dhe dy helikopterë. 

F.I
Si paraqitet situata me zjarret: 13 vatra aktive, 2 helikopterë
pamjet nga Lura dhe Dajti

TIRANË-Ministria e Mbrojtjes ka informuar se deri në orën 17:00 në territorin e vendit janë regjistruar 23 vatra zjarri, nga të cilat 13 mbeten aktive dhe 2 janë nën monitorim. Në terren janë gjithashtu 120 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 mjete zjarrfikëse, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Një nga zonat ku situata është më problematike është Gurë-Lura në Dibër, ku për të vendosur në kontroll përhapjen e flakëve drejt banesave janë hapur korridore me mjete të rënda. Në terren ndodhen forca të shumta bashkiake, të Policisë, ADZM-së, MZSH-së dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga dy avionë Air Tractor. Në Tiranë, operacioni vazhdon në malin e Dajtit, mbi tunelet e Qafë-Mollës, ku janë angazhuar 50 efektivë të FA-së dhe dy helikopterë. 

Ndërkohë flakët vijojnë edhe në Qafë Helmes, në zonën Dibër-Bulqizë, ku zjarri është shuar në krahun e fshatit Bulqizë, por mbetet aktiv në drejtim të Selishtës. Vatra aktive raportohen gjithashtu në Mirditë, Pukë, Gjirokastër, Vlorë dhe Librazhd. Në Gjirokastër flakët vijojnë në disa zona, përfshirë Sotirën, Dropullin, Bregun e Lejlekut, Libohovën dhe Krahësin, ndërsa në Vlorë operacionet vazhdojnë në Gjormë, Aliban dhe Mesaplik.

NJOFTIMI:

Ministria e Mbrojtjes informon se, deri në orën 17:00, në territorin e vendit janë regjistruar 23 vatra zjarri, nga të cilat 13 mbeten aktive dhe 2 janë nën monitorim.

Në operacionet e sotme janë angazhuar 317 forca operacionale dhe 32 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje janë angazhuar 120 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 mjete zjarrfikëse, 2 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor” të Forcës Ajrore.

Vatrat kryesore aktive dhe angazhimi:

Mali i Dajtit, Tiranë – Vijon operacioni në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Forcat operacionale mbështeten nga 50 efektivë të FA dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim.

Gurë-Lurë, Dibër – Mbetet një nga vatrat me angazhimin më të madh. Janë hapur korridore me fadroma, duke ndaluar avancimin e zjarrit drejt banesave. Në terren janë 150 forca bashkiake, 20 policore, 11 ADZM, 15 MZSH dhe 50 efektivë të FA, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor. Sipërfaqja e djegur përllogaritet rreth 200 ha pyll pishe dhe aktualisht nuk ka rrezik për banesat.

Qafë Helmes, Dibër/Bulqizë – Në operacion janë 11 efektivë MZSH, 27 forca bashkiake dhe 20 efektivë të FA. Zjarri është fikur nga krahu i fshatit Bulqizë dhe vijon aktiv në drejtim të Selishtës, pa rrezik për zonat e banuara.

Abaze, Krujë – Vatra vijon aktive, por me intensitet të ulët dhe pa rrezik për zonat e banuara. Vatra në Zidoll është në monitorim.

Lufaj, Mirditë – Vijon puna për shuarjen dhe hapjen e korridoreve ndarëse për të shmangur çdo rrezik për banesat.

Fushë-Lajë, Pukë – Vatra mbetet aktive në terren të thyer, i cili vështirëson ndërhyrjen; nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Gjirokastër – Aktive janë vatrat në Sotirë, Dropull, Bregu i Lejlekut, Libohovë dhe Krahës, Memaliaj. Strukturat e MZSH janë në terren dhe nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Vlorë – Aktive janë vatrat në Gjormë, Aliban dhe Mesaplik. Në Gjormë vatra është vënë nën kontroll, ndërsa në Aliban dhe Mesaplik vijon puna e MZSH për shuarjen. Nuk ka rrezik për banesat.

Dardhë, Librazhd – Vijon puna nga MZSH, shërbimi pyjor dhe forcat bashkiake; nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Situata po menaxhohet me angazhim të koordinuar nga toka dhe ajri, ndërsa në pjesën më të madhe të vatrave aktive nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

AKMC, përmes Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, vijon ndjekjen dhe koordinimin e situatës në të gjithë territorin.

Poll

MOS HUMB