FRANCË-Një violinist shqiptar i orkestrës Victor Hugo Franche-Comté, është arrestua me 38.3 kilogramë kokainë në kufirin midis Francës dhe Italisë. Mediat franceze raportojnë se gjatë kontrollit të automjetit të Beng Bakallit, policia zbuloi dy hapësira në dyshemenë e makinës tip Citroën C5 Aircross, ku ishte fshehur droga. Sipas vlerësimeve të autoriteteve, sasia e sekuestruar arrin një vlerë prej rreth 2 milionë eurosh në tregun e paligjshëm.
Ndërkohë gjatë kontrollit në shtëpinë e tij në Besançon autoritetet zbuluan gati 90,000 euro në kartëmonedha të vogla, katër armë, një jelek antiplumb.
Para Gjykatës, violinisti Bakalli ka pranuar se kishte rënë dakord ta dërgonte drogën kundrejt një pagese prej 20 mijë eurosh. Ai ka deklaruar se ishte kontaktuar për këtë udhëtim nga persona që kishte njohur gjatë një qëndrimi në Shqipëri. Për armët, ai është shprehur se i posedonte në kuadër të aktivitetit të tij si qitës sportiv, ndërsa për paratë ka pretenduar se i kishte marrë nga babai i tij.
Seanca e radhës pritet të zhvillohet në tetor. Nëse shpallet fajtor për veprat penale për të cilat akuzohet, violinisti shqiptar rrezikon deri në 10 vite burgim.