HIMARË- Katër persona kanë mbetur të plagosur pas shpërthimit të motorit të një skafi në Porto Palermo, mbrëmjen e kësaj të hëne.Të plagosur janë 25-vjeçari Mateo Merdanaj, 18-vjeçari Aleks Doda, 40-vjeçari Xhemal Ismailaj dhe 38-vjeçari Ardinant Qaziu.
Mësohet se njëri prej të plagosurve ndodhet në gjendje të rëndë, pasi ka pësuar djegie në rreth 50% të trupit. Sipas të dhënave paraprake, benzina në pjesën e motorit dhe në serbator dyshohet se ka marrë flakë gjatë punimeve, duke shkaktuar më pas shpërthimin.
Dyshohet se në momentin kur benzina mori flakë, njëri prej personave po konsumonte cigare, dukuri e cila mund të ketë favorizuar shpërthimin.
Aktualisht dy prej të dëmtuarve kanë pësuar djegie të shumta në pjesë të ndryshme të trupit dhe, për shkak të gjendjes së tyre, janë nisur drejt Tiranës për të marrë ndihmë mjekësore më të specializuar. Ndërsa dy personat e tjerë raportohet se kanë pësuar dëmtime më të lehta dhe ndodhen në gjendje më të mirë./ZËRI