TIRANË- Dy persona që u dogjën nga zjarri që përfshiu ditën e djeshme hotelin "Brooklin" në Vlorë, po trajtohen në në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Burime nga QSUT-ja kanë bërë me dije se si është gjendja e dy të rinjëve, 25-vjeçares Ana Dyrmishi dhe 30 vjeçarit Aldo Kasimi.
Sipas informacioneve, Ana Dyrmishi e cila ka pësuar djegie në rreth 85% të trupit ndodhet në reanimacion, pasi gjendja e saj vijon të mbetet e rëndë. E reja po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm nga mjekët.Nën monitorim vijon të mbahet dhe Aldo Kasimi, i cili mësohet se ka pësuar djegie në rreth 30% të trupit. Sa i përket të plagosurve të tjerë, të cilët pësuan dëmtime pasi u hodhën nga katet e hotelit për për t'i shpëtuar zjarrit, janë në gjendje të stabilizuar.
Ngjarja ndodhi rreth orës 04:05 të mëngjesit të djeshëm, ku hotel 'Brooklyn', i cili ndodhet në zonën e Lungomares në Vlorë u përfshi nga një zjarr i përmasave të mëdha.
Flakët nisën fillimisht në lokalin në katin e parë të hotel 'Brooklyn' dhe më pas u përhapën në katet më sipër. Të plagosur mbetën Ndorina Rexhepi, Arlinda Rexhepi, Erza Granica, Aldo Kasimi, Ana Dyrmishi dhe Luan Saliu, të gjithë mosha të reja.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, zjarri ka qenë aksidental i shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të frigoriferit, i cili ndodhej në ambientet e restorantit./ZËRI