BULQIZË-Është gjetur trupi i pajetë i vajzës 7-vjeçare, e cila dyshohej se ishte mbytur një ditë më parë në lumin Drin, në Gjoricë të Bulqizës. 5 persona në lidhje familjare me njëri-tjerin, xhaxhai dhe katër nipa e mbesa, ishin futur për t’u larë dje pasdite vonë në lumin Drin, kur dyshohet se niveli i ujit është shtuar pas hapjes së portave të hidrocentralit në Dibër të Madhe.
Për pasojë, rrjedha e ujit i ka marrë ata. Të afërmit e personave të përfshirë lajmëruan Policinë rreth orës 21:00. Forcat e rendit arritën me shpejtësi në vendin e ngjarjes dhe, pas një operacioni intensiv që zgjati afërsisht katër orë, ia dolën të nxjerrin të gjallë katër prej tyre.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të kërkimeve të nisura mbrëmjen e djeshme, pas njoftimit se disa fëmijë dhe një i afërm i tyre kishin mbetur të bllokuar, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në lumin Drini i Zi, ku 4 prej tyre u shpëtuan nga shërbimet e Policisë dhe të Emergjencës, ndërsa një e mitur nuk u gjet, informojmë se:
Sot, rreth orës 09:45, është bërë e mundur gjetja e trupit të pajetë të 7-vjeçares, e cila dyshohet se është mbytur në lumë.
Grupi hetimor vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Më datë 27.08.2026, rreth orës 20:40, në vendin e quajtur “Ura e Vashës”, në Rrugën e Arbrit, shtetasi D. L., rreth 34 vjeç, banues në Tiranë, dyshohet se është vetëhedhur nga ura dhe, për pasojë, ka humbur jetën.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Kërkimet për vajzën e mbytur vijuan edhe sot, trupi i të cilës është gjetur tashmë.
