TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të rikthejë pjesërisht në shqyrtim çështjen pasurore të ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka në kuadër të dosjes së inceneratorit të Fierit.
Vendimi është marrë më 16 shtator pas kërkesës së SPAK për një ekspertim të ri që synon të përcaktojë vlerën e pasurive të Kokës të kërkuara për konfiskim. Prokurori Dritan Prençi ka pretenduar se shuma që lidhet me korrupsionin e përcaktuar gjatë procesit në Shkallën e Parë është më e lartë nga ajo që ka pranuar gjykata.
Për të kryer vlerësimin e ri Apeli ka vendosur të marrë në konsideratë edhe aktet e dosjeve të inceneratorëve të Elbasanit dhe Tiranës.
Megjithatë gjykata nuk ka pranuar kërkesën tjetër të SPAK për zgjerimin e pjesshëm të shqyrtimit dhe administrimin e provave shtesë. Kryesuesja e trupit gjykues Tereza Merkaj ka argumentuar se çështja mund të vijojë mbi bazën e materialeve që tashmë ndodhen në dosje.
Kundër rihapjes së hetimit ka qenë mbrojtja e Kokës, e cila ka pretenduar se provat e kërkuara nga SPAK janë administruar më herët gjatë gjykimit në Shkallën e Parë.
Hapi i radhës do të hidhet më 23 shtatornë orën 09:30. Në këtë seancë pritet të përcaktohen ekspertët që do të kryejnë vlerësimin e ri të pasurive.
Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka u lirua në dhjetor të vitit të kaluar, pasi qëndroi për 4 vite në burg, që prej 14 dhjetorit të vitit 2021. Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme më dhjetor 2025, thuhej se masa e sigurisë për inceneratorin e Fierit nuk qëndron më, për shkak se dosja është kthyer për rigjykim në Apel nga Gjykata e Lartë.
Në lidhje me dënimin për inceneratorin e Elbasanit, Koka ka fituar lirinë me kusht nga Gjykata e Durrësit. Koka u arrestua në vitin 2021 në kuadër të hetimeve për inceneratorët, ku akuzohet për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion./ZËRI