ITALI- Banesa e kardinalit shqiptar Ernest Simoni është grabitur në qendër të Firences ndërsa ai ndodhej në Londër për një takim me Mbretin Charles III. Autorët kanë hyrë me forcë në apartament dhe kanë marrë para, sende ari, bizhuteri, medalje dhe objekte të tjera, me një vlerë totale që përllogaritet rreth 30 mijë euro.
Sipas mediave italiane, grabitja ka ndodhur në banesën në Piazza Duomo në një apartament në pronësi të Kishës ku 97-vjeçari jeton së bashku me nipin e tij Tonin Simoni. Në momentin e ngjarjes as kardinali dhe as nipi i tij nuk ndodheshin në shtëpi.
Autorët kanë përdorur dalta për të shembur një pjesë të murit pranë derës dhe më pas kanë hapur me forcë derën e blinduar. Brenda banesës kanë kontrolluar dhomat njëra pas tjetrës duke hapur garderobat, sirtarët, valixhet dhe kasetat ku mund të kishte sende me vlerë. Dy dalta janë gjetur të braktisura në korridorin e pallatit.

Nipi i kardinalit dyshon se grabitësit e kanë monitoruar familjen përpara se të vepronin, pasi sipas tij ata e dinin se banesa do të ishte bosh.
“Jam i bindur se na kishin vëzhguar. E dinin saktësisht që nuk ndodhej askush në shtëpi”, tha Tonin Simoni.
Grabitja është zbuluar në mbrëmje, kur Tonin Simoni dhe bashkëshortja e tij janë kthyer në banesë pas disa orësh. Ata e kishin lënë shtëpinë rreth orës 13:00 dhe kur u kthyen rreth orës 23:00 gjetën derën e dëmtuar dhe ambientet të përmbysura.
Mes sendeve të marra nga autorët ishte edhe leja e qëndrimit e kardinalit Ernest Simoni. Dokumenti ishte mbajtur në një sirtar dhe nipi i tij e konsideron të pazakontë faktin që hajdutët e kanë marrë bashkë me sendet e tjera.
“Vjedhja e këtij dokumenti është e çuditshme. Nuk e kuptoj pse mund t'i duhej dikujt, përveç rastit kur synon ta falsifikojë”, tha ai.
Në banesë kanë mbërritur karabinierët dhe ekspertët e policisë shkencore, të cilët kanë kryer këqyrjen e ambienteve për gjetjen e gjurmëve. Hetuesit po analizojnë gjithashtu pamjet e kamerave të sigurisë në zonën e Piazza Duomo, një nga pjesët më të monitoruara të Firences.
Sipas familjarëve autorët kanë pasur kohë të mjaftueshme për të kryer grabitjen, pavarësisht zhurmës që mund të ketë shkaktuar thyerja e murit dhe dera e blinduar. Deri tani nuk ka të dhëna për identitetin e autorëve, ndërsa hetimi vijon për të zbardhur mënyrën se si është organizuar grabitja.
Pas marrjes së lajmit Tonin Simoni ka telefonuar kardinalin në Londër. Por shqetësimi i parë i Ernest Simonit nuk lidhej me paratë apo sendet e vjedhura, por me objektet fetare që ndodheshin në dhomën e tij.
“Pyetja e parë që më bëri ishte nëse hajdutët kishin prekur statujat fetare që mban në dhomën e tij. Kur i thashë se ishin të gjitha në vend, ai më tha: ‘Atëherë, pak rëndësi ka'',përfundoi ai.
Hetuesit vijojnë punën për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të grabitjes./ZËRI