ITALI- Një 42 vjeçare shqiptare ka humbur jetën pasi u përplas nga një kamion i mbledhjes së mbetjeve në San Dona di Piave në provincën e Venecias. Viktima është identifikuar si Lavdije Isteri ecila ishte duke shoqëruar vajzën e saj 9 vjeçare për në shkollë kur ndodhi aksidenti.
Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi rreth orës 08:00 në zonën Passarella pranë shkollës fillore Marco Polo. Kamioni po kryente një kthesë djathtas në momentin kur përplasi 42-vjeçaren. Sipas rindërtimit paraprak të publikuar nga kompania e pastrimit gruaja ndodhej në një zonë të padukshme për drejtuesin e mjetit, ndërsa hetimet për dinamikën e plotë vijojnë.
Pas përplasjes gruaja mbeti e bllokuar poshtë kamionit. Në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit, të cilët përdorën një autovinç për të ngritur mjetin dhe për të nxjerrë 42-vjeçaren. Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve mjekësore, ajo nuk mundi të mbijetojë.
Vajza 9 vjeçare ndodhej me nënën në momentin e aksidentit, por fatmirësisht ishte disa hapa më përpara dhe nuk u përfshi në përplasje. Ajo u shoqërua brenda ambienteve të shkollës pas ngjarjes. Dy fëmijët e tjerë të viktimës, 18 dhe 20 vjeç, mbërritën më vonë në vendngjarje.
42 vjeçarja ishte nënë e tre fëmijëve dhe me origjinë nga Shqipëria. Ajo jetonte prej vitesh në Passarella me familjen e saj.
Drejtuesi 59 vjeçar i kamionit i cili sipas kompanisë kishte eksperiencë të gjatë në drejtimin e mjeteve të rënda është dërguar në spital në gjendje shoku. Edhe një punonjës tjetër që ndodhej në pjesën e pasme të kamionit nuk kishte konstatuar praninë e gruas, sipas deklarimit të kompanisë.
Kamioni i prodhuar në vitin 2016 është sekuestruar për nevojat e hetimit. Policia lokale po kryen ekspertizat dhe verifikimet për të përcaktuar saktësisht rrethanat e aksidentit dhe përgjegjësitë e mundshme./ZËRI