Aktualitet

SPAK heton bllokimin e pagave, shefja e Thesarit: Pagesat e gushtit ishin kryer

Mes personave të pyetur është edhe përgjegjësja e Thesarit Tiranë, Elmira Peti e cila, sipas dëshmisë së saj ka mohuar të ketë kryer shkelje apo abuzim me detyrën.

M.K.
SPAK heton bllokimin e pagave, shefja e Thesarit: Pagesat e gushtit ishin kryer
godina e spak-ut

TIRANË- Bllokimi i pagave të magjistratëve për muajin gusht është tashmë pjesë e hetimit të SPAK, ndërsa në Prokurorinë e Posaçme po merren në pyetje zyrtarë që kanë pasur rol në procesin e pagesave.

Mes personave të pyetur është edhe përgjegjësja e Thesarit Tiranë, Elmira Peti e cila, sipas dëshmisë së saj ka mohuar të ketë kryer shkelje apo abuzim me detyrën.

Peti ka deklaruar se listëpagesat për muajin gusht, përfshirë ato të gjyqtarëve, prokurorëve dhe administratës civile, ishin përpunuar nga Thesari. Sipas saj, pagesat ishin kryer në sistem, por më pas nuk kanë përfunduar në llogaritë bankare të punonjësve.

SPAK ka verifikuar sistemin elektronik të Thesarit për të kontrolluar versionin e dhënë nga zyrtarja. Sipas të dhënave të raportuara nga dëshmia pagesat rezultonin të regjistruara, ndërsa më pas është ndërhyrë për bllokimin e tyre.

Në këtë pikë në dëshmi përmendet edhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Gentian Këri. Sipas deklarimeve të Petit, urdhri për bllokimin e pagesave është dhënë në fazën e fundit të procesit.

Nga ana tjetër Gentian Këri sipas raportimeve mbi marrjen e tij në pyetje ka argumentuar se pezullimi lidhej me pritjen e hyrjes në fuqi të projektligjit për pagat e magjistratëve dhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në kohën kur pjesa më e madhe e gjykatave dhe prokurorive nuk kishin marrë pagat e gushtit, pagesat për disa institucione, mes tyre SPAK, Gjykata Kushtetuese dhe Shkolla e Magjistraturës, rezultuan të kryera.

Çështja ka kaluar në SPAK pas kallëzimit të bërë nga drejtues të 18 gjykatave dhe përfaqësues të organizatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve ndaj ministrit të Financave Petrit Malaj Sekretarit të Përgjithshëm Gentian Këri dhe drejtuesve të degëve të Thesarit. Kallëzuesit pretendojnë se bllokimi i pagave lidhet me moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe kërkojnë hetim për disa vepra penale.

Ministri Petrit Malaj ka deklaruar publikisht se veprimet e Ministrisë së Financave lidhen me zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e fondeve publike.

Në paralel me hetimin e SPAK, Kuvendi ka miratuar formulën e re për pagat e magjistratëve. Përplasja mes institucioneve të drejtësisë dhe Ministrisë së Financave për mënyrën e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbetet kështu në qendër të debatit, ndërsa tashmë SPAK po verifikon edhe zinxhirin administrativ që çoi në bllokimin e pagesave./ZËRI

Poll

MOS HUMB