Aktualitet

“Revanshi”/ Trafik droge dhe atentati ndaj Durim Bamit, SPAK kërkon 56 vite burg për 5 të pandehurit

Për Armando Ndrecën, vëllain e ish-deputetit socialist, Eduard Ndreca, është kërkuar dënimi me 15 vite burg, që reduktohet në 10 vite.

F.I
“Revanshi”/ Trafik droge dhe atentati ndaj Durim Bamit, SPAK
Vëllait i deputetit Eduard Ndreca me dy kushërinjtë e tij

TIRANË-Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka paraqitur pretencën për një tjetër fraksion të dosjes “Revanshi”, duke kërkuar në total 56 vite burg për pesë të pandehur, konkretisht për Armando Ndrecën, Eduard Ndrecën, Elvis Ndrecën, Adrian Piklin, Edison Muçekun, Deivis Bajramajn dhe Albert Zajën. Me aplikimin e gjykimit të shkurtuar, në total dënimi për të pandehurit ulet në 37 vite burg. Të pandehurit akuzohen për pjesëmarrje në grup kriminal, kultivim të bimëve narkotike, armëmbajtje pa leje dhe sigurim kushtesh për të kryer vrasje.

Sipas SPAK, të pandehurit dyshohet se kanë qenë të përfshirë në disa veprimtari kriminale gjatë viteve 2020-2021, përfshirë tentativën për vrasjen e Durim Bamit në Urën e Tapizës, sigurimin e mjeteve për vrasjen e Hamza Terziut dhe Durim Bamit, kultivimin dhe trafikimin e 243 kilogramëve kanabis në Lezhë, si dhe tregtinë e paligjshme të armëve dhe municioneve. 

Për Armando Ndrecën, vëllain e ish-deputetit socialist, Eduard Ndreca, është kërkuar dënimi me 15 vite burg, që reduktohet në 10 vite. Për Elvis Ndrecën, djalin e xhaxhait të ish-deputetit socialist, SPAK ka kërkuar 9 vite burg, dënim që zbret në 6 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Për ish-efektivin e forcave speciale RENEA, Adrian Pikli, kërkohet dënimi me 10.6 vite burg, i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar zbret në 7 vite. Për Edison Muçekun është kërkuar dënimi me 9 vite burg, që me gjykim të shkurtuar reduktohet në 6 vite. Ndërsa për Deivis Bajramajn është kërkuar dënimi me 12 vite burg, i cili me gjykim të shkurtuar zbret në 8 vite. 

Ndërkohë, për Albert Zajën, i cili është hetuar në kuadër të këtij grupi, dosja është veçuar dhe po trajtohet më vete.

Sipas organit të akuzës, nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera është provuar se:

-Më 04.11.2020, në Urën e Tapizës, Fushë-Krujë, Albert Zaja dhe persona të tjerë tentuan të vrisnin me armë zjarri shtetasit Durim Bami dhe Ervin Kodra.

-Gjatë periudhës maj–korrik 2020, Albert Zaja dhe Edison Muçeku siguruan mjetet për vrasjen e shtetasit Hamza Terziu.

-Gjatë periudhës korrik–gusht 2020, Elvis Ndreca siguroi mjetet për vrasjen e shtetasit Durim Bami.

-Në tetor 2020, Armando Ndreca organizoi dhe financoi grupin që prodhoi dhe shiti 243 kg kanabis në Lezhë.

-Gjatë viteve 2020–2021, Deivis Bajramaj dhe Adrian Pikli u përfshinë në tregtinë e paligjshme të armëve dhe municioneve, duke i shitur ato edhe personave me precedentë penalë.

Poll

MOS HUMB