TIRANË-Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur një hetim lidhur me zhvillimet e dhunshme nga Zvërneci, ku protestuesit u dhunuan nga punonjës së shoqërisë private të sigurisë gjatë protestës kundër ndërtimit të një resorti në Vlorë, i cili po ndërtohet nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”.
Me anë të një deklarate zyrtare, institucioni shprehet se drejtuesja e Zyrës Rajonale të Avokatit të Popullit qëndroi deri në orët e vona të së shtunës në Komisariatin e Policisë Vlorë, ku verifikoi nga afër gjendjen e protestuesve të ndaluar gjatë aksionit policor. Avokati i Popullit ka kërkuar zyrtarisht nga policia informacion të detajuar për mënyrën si u mbikëqyr veprimtaria e policisë private në zonën ku po protestohej.
Deklarata:
Drejtuesja e Zyrës Rajonale të Avokatit të Popullit qëndroi deri në orët e vona të së shtunës në komisariatin e policisë Vlorë, ku verifikoi në vend gjendjen e protestuesve të ndaluar gjatë ngjarjeve në Zvërnec. Kjo vizitë është pjesë e hetimit që kemi nisur kryesisht (ex officio) për dhunën ndaj qytetarëve që ushtronin të drejtën kushtetuese të protestës.
Gjatë inspektimit u zhvillua edhe një takim me drejtuesit e drejtorisë vendore të policisë për të diskutuar respektimin e bazës ligjore të ndalimeve dhe trajtimin e të ndaluarve.
Avokati i Popullit ka kërkuar zyrtarisht nga policia informacion të detajuar për mënyrën si u mbikëqyr veprimtaria e policisë private në zonën ku po protestohej. Avokati i Popullit do të vijojë ta ndjekë këtë çështje dhe do të informojë publikun për hapat e mëtejshëm.