Aktualitet

Raporti i AIF zbulon 13 skema: Ja si pastrohen paratë, mashtrime me miliona euro

Pasuritë e paluajtshme, call center-at mashtruese me aktivitet FOREX apo mashtrimet me karta bankare dhe shoqëritë fiktive kanë qenë disa nga tipologjitë që Agjencia e Inteligjencës Financiare ka identifikuar si format me të cilat mund të pastrohen paratë në vend

F.I
Raporti i AIF zbulon 13 skema: Ja si pastrohen paratë, mashtrime me miliona
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Agjencia e Inteligjencës Financiare ka publikuar Raportin Vjetor për vitin 2024, ku ndër rastet e dërguara në Prokurori, peshën më të madhe e zënë ato të adresuara në SPAK. Nga Janari në Dhjetor janë trajtuar në total 646 kërkesa për informacion të ardhura nga Policia e Shtetit, Prokuroritë dhe prokuroria e posacme  me të cilat është kërkuar informacion për 4,167 persona dhe subjekte.

Pasuritë e paluajtshme, call center-at mashtruese me aktivitet FOREX apo mashtrimet me karta bankare dhe shoqëritë fiktive kanë qenë disa nga tipologjitë që Agjencia e Inteligjencës Financiare ka identifikuar si format me të cilat mund të pastrohen paratë në vend dhe që janë referuar pranë institucioneve përkatëse. Transferat e parave të 'pista' bëheshi nga shtete të ndryshme si Ishujt Cayman, Panama, Gjibraltar, Qipro, Maltë, Poloni, Amerika Latine, Hungari etj. Në raport, AIF ka analizuar 13 tipologji të pastrimit të parave në Shqipëri.

Skema 1: Kryerja e një aktiviteti fiktiv nga shoqëri shqiptare

Në dhjetor 2020, shtetasi A themeloi shoqërinë X (veprimtaria e së cilës lidhet me shërbime konsulence) dhe disa ditë më pas ia shiti kuotat e kësaj shoqërie shtetasit të huaj (B), duke mbetur vetëm administrator i shoqërisë. Shtetasi B (ortaku i vetëm i shoqërisë X) rezulton të ketë ardhur në Shqipëri vetëm dy herë gjatë 2023-2024 dhe ka qëndruar jo më shumë se tre ditë. Gjatë një periudhe 2 vjeçare (2021-2022), shoqëria X ka përfituar një volum të lartë transfertash që arrijnë në një total prej 10,000,000 euro të urdhëruara nga shtete si: Ishujt Cayman, Panama, Gjibraltar, Qipro, Maltë, Poloni etj. nga subjekte të ndryshme kryesisht të lidhura me lojërat e fatit, për shërbimet e ofruara nga kompania X. 

Skema 2: Transferta të dyshimta nga kompani të reja me aksioner jo-rezident

Shtetasit e huaj A dhe B (bashkëshortë), kanë ardhur në Shqipëri në vitin 2024 dhe kanë themeluar secili nga 3 shoqëri tregtare me objekt aktiviteti ‘shërbime të konsulencës dhe marketingut online’. Të gjashta shoqëritë kanë të njëjtën adresë fizike në Shqipëri. Shoqëria X ka çelur disa llogari bankare në monedha të ndryshme dhe në secilën prej tyre gjatë vitit 2024 ka përfituar transferta nga subjekte të ndryshme nga vende si: Poloni, Hungari etj, në një vlerë totale prej 100,000 euro, për pagesë faturash. Shoqëria Y ka operuar pothuajse njësoj si kompania e mësipërme, ndryshojnë vetëm shtetet me të cilat ka bashkëpunuar. Kjo shoqëri ka përfituar transferta nga disa subjekte në një shtet fqinj, në një total prej 200,000 euro, në formë pagese për shërbimet e marketingut të ofruara.

Skema 3: Investime në pasuri të paluajtshme nga persona me veprimtari kriminale.

Tre shtetas të huaj hapin tre biznese në vend dhe përmes tyre përfitojnë 3 milionë euro, transferta që vinin kryesisht nga Singapori, Rumania e Kolumbia, dhe fshiheshin nën petkun e ‘shërbimit të konsulencës’. 2 milionë euro e kësaj shume u investuan në pasuri të paluajtshme në bregdet, ku pronat u blenë nën çmimin e tregut. Po ashtu kishin bërë një porosi për një mjet lundrues me vlere totale 4,5 milionë euro, dhe paguan 500 mijë euro, si dhe porositën një automjet me vlerë 300 mijë euro dhe paguan një këst prej 150 mijë euro. Të gjitha bizneset e shtetasve të huaj u hapën nga një shqiptar, i cili më parë kishte qenë i punësuar për një person që merrej me trafikim të lëndëve narkotike dhe pasuritë e të cilit ishin të sekuestruara.

Tipologjitë e tjera të pastrimit të parave kanë të bëjnë kryesisht me investimin e fondeve që nuk justifikoheshin nga burime të ligjshme në sektorin e pasurive të paluajtshme, nga ish-zyrtarë të drejtësisë apo funksionar të lartë të shtetit.

Skema 4: Investime në pasuri të paluajtshme nga ish-funksionar i drejtësisë

Shtetasi A, është shkarkuar nga sistemi i Drejtësisë në vitin 2021, për deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë. Në një nga pikat e këtij vlerësimi, të cilën shtetasi A dështoi të provonte në favor të tij, ishte një marrëdhënie kontraktuale me shtetasin B. Për këtë marrëdhënie kontraktuale shtetasi A do të argumente se nuk kishte njohje personale mes tyre, përtej marrëdhënies normale të detyrimit të krijuar. Nga informacionet e administruara, rezultoi se ky shtetas 3 vite pas largimit nga sistemi i drejtësisë, kishte investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme, për një vlerë dukshëm nën vlerën e tregut. Nga verifikimet rezultoi se këto pasuri po bliheshin nga shtetasi B. Në vijim, nga analiza e informacionit bankar rezultoi se një pjesë e fondeve të përdorura për këto investime, e kishin burimin nga akte huamarrje.

Skema 5: Investim, fshehje, tjetërsim të pasurive nga një ish-funksionar i lartë

Shtetasi A, ka qenë funksionar i lartë në disa institucione shtetërore për një periudhë 8 vjeçare dhe dyshohet se nëpërmjet familjarëve të tij, ka fshehur pasuri të paluajtshme gjatë ushtrimit të detyrave, ku burimi i investimeve është i pajustifikuar. Konkretisht shtetasja B, e motra e funksionarit A, në cilësinë e pronarit të një trualli, ka nënshkruar një akt marrëveshje me shoqërinë X, sipas te cilës kjo shtetase vë në dispozicion të shoqërisë truallin, me qëllim zhvillimin e tij në këmbim të përfitimit të 22 apartamenteve. Nga verifikimet të mëtejshme u konstatua se kjo aktmarrëveshje është nënshkruar pak kohë pasi shtetasja B si aksionere e vetme e shoqërisë X, i kishte shitur aksionet e saj palëve të treta. Një vit më pas shtetasja B, nënshkruan me shoqërinë X kontratën e sipërmarrjes, duke përcaktuar apartamentet që do të përfitojë pas ndërtimit të godinës dhe në të njëjtën kohë, nënshkruan një kontratë premtim – shitjen për 10 apartamenteve, në vlerën 400.000 euro, me shtetasin D, pa u specifikuar mënyra e pagesës.

Skema 6: Investime në pasuri të paluajtshme me burim të dyshimtë fondesh

Shtetasja A, funksionare në një institucion shtetëror, në prill të vitit 2024 ka blerë një pasuri të paluajtshme të llojit apartament në vlerë 200,000 euro. Fondet për blerjen e pronës, janë akumuluar në llogari nga depozitime dhe transferta të realizuara nga familjar të saj si dhurim (me deklarata dhurimi mes palëve), si dhe nga depozitime në llogari të vetë shtetases. Verifikimet e realizuara nga AIF evidentuan se shtetasja A zotëronte edhe pesë pasuri të tjera të paluajtshme, si dhe disa kontrata për shitblerje automjetesh të nënshkruara vitet e fundit. 

Duke marrë në konsideratë se profili i punësimit të shtetases A apo dhe familjarëve të cilët kishin dhuruar fondet, nuk justifikonte transaksionet e realizuara, ka vijuar bashkëpunimi me organet e zbatimit të ligjit. Në vijim nga organi kompetent jemi njohur me vendimin e sekuestrimit të pasurive në emër të shtetases A, pas dyshimeve se ato ishin produkte të veprimtarisë kriminale të ushtruar nga familjari i saj, shtetasi B i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike në një vend fqinj. 

Skema 7: Transferta të dyshimta nga persona me precedentë penal

 Shtetasi A, shqiptar me rezidencë në një shtet fqinj, ka përdorur llogarinë e tij individuale në Shqipëri për të realizuar blerje me kartë në tregtarë që ofrojnë shërbime bastesh, si dhe rezervime hotelesh/restorantesh në dy vende fqinje. Fondet e përdorura, janë akumuluar ndër vite nga depozitimet e të hollave, të realizuara nga vetë shtetasi dhe nga persona të tretë. Brenda tre muajve të parë të vitit 2024, në llogarinë e shtetasit A, është depozituar shuma 100,000 euro nga katër persona të ndryshëm. Depozituesit nuk kanë lidhje familjare me shtetasin X, ndërkohë që njëri prej tyre rezulton i dënuar në vitin 2019 në vend evropian për trafikim të lëndëve narkotike. 

Skema 8: Mashtrim me karta bankare

Një grup individësh të ndryshëm, shtetas shqiptarë kryesisht, por edhe të huaj, të cilët janë pjesë e një grupi komunikimi në platformën Telegram, kanë marrë mesazhe nga shtetas të huaj me emrin e përdoruesit ‘xxx’, të cilët ju kanë kërkuar tu vënë në dispozicion numrat e kartave me qëllim kreditimin e fondeve të paidentifikuara, fonde të cilat me pas pritej të ktheheshin në masën ½ tek kontaktuesi. Nga administrimi i informacionit pranë bankës X, ku janë verifikuar llogaritë e 30 personave të ndryshëm, rezultoi se janë kredituar fonde në llogarinë e kartave të tyre, nga një tregtar ‘Z’, i cili ka një POS të regjistruar në shtet aziatik me përshkrim “kthim nga tregtari”.

Në total janë transferuar rreth 100,000 EUR, nga të cilat një pjesë janë tërhequr dhe rreth 20,000 EUR janë këmbyer në kriptomonedha duke i transferuar më pas në llogari të personit që i ka kontaktuar. Nga verifikime të mëtejshme ka rezultuar se shtetasit e përfshirë janë të punësuar në shoqëri tregtare, kryesisht “call center”, ose të papunë.

Skema 9: Dyshime mbi aktivitet “Forex”

Shoqëria tregtare X, e regjistruar në vendin tonë në fillim të vitit 2023 nga shtetasi shqiptar A, i cili zotëron 100% të kuotave dhe njëkohësisht administrator i shoqërisë) ka si objekt veprimtarie “Shërbime marketingu dhe komunikacioni online”. Nga analizimi i aktivitetit bankar të kësaj shoqërie u evidentua se gjatë një periudhe një vjetore kanë mbërritur transferta nga një shtet Evropian në vlerë totale rreth 400,000 euro me përshkrimin “likujdim fature”.

Në raport theksohet se janë nxjerrë në total 11 urdhra bllokimi të përkohshëm për llogari bankare, në një vlerë totale prej rreth 10,751,684 EURO, të cilat janë sekuestruar me vendim të Prokurorisë apo Gjykatës në masën 97%./ZËRI

Poll

MOS HUMB