Aktualitet

“Partizani”/ Shtyhet sërish në GJKKO seanca për Berishën dhe Malltezin

Avokati Sokol Hazizaj mungoi pasi ndodhej në gjyqin që po zhvillohet për dosjen "Plumbi i Artë", pasi mbron të pandehurin Gentian Sharra.

k.m.
“Partizani”/ Shtyhet sërish në GJKKO seanca për
Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi

TIRANË- Shtyhet për më 18 prill seanca paraprake për dosjen "Partizani". Seanca është shtyrë edhe sot për shkak të mungesës së avokatit të biznesmenit Fatmir Bektashi. Avokati Sokol Hazizaj mungoi pasi ndodhej në gjyqin që po zhvillohet për dosjen "Plumbi i Artë", pasi mbron të pandehurin Gentian Sharra. Ndaj edhe seanca e radhës është lënë për një ditë tjetër. Sot ishte planifikuar që Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të vendoste nëse do të pranonte kërkesën e SPAK për të gjykuar çështjen. Por vendimi nuk u mor dot sot.

Të pandehur në lidhje me çështjen janë ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerë, biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina. 

Hetimet për dosjen Partizani kanë nisur në vitin 2020, dhe në aktakuzën e SPAK, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai e akuzojnë ish-kryeministrin Berisha për veprën penale të "korrupsionit pasiv" të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK, Berisha ka ndryshuar ligje, dhe ka ushtruar presion mbi vartësit e tij, në mënyrë që ish-kompleksi Partizani t'iu kthehej pronarëve, në mesin e të cilëve do të përfitonte dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.

Aktualisht Berisha është në liri, por me masën "detyrim paraqitje", 2 herë në javë. Por SPAK ka kërkuar që kryedemokrati të kthehet në arrest shtëpie duke ankimuar vendimin e GJKKO-së. Ndërkohë SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur akuzë zyrtare për Berishën, atë të korrupsionit pasiv.

Ndryshe nga Sali Berisha, dhëndri i tij ndodhet nën masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’.Ndaj Jamarbër Malltezit, rëndojnë akuzat e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” që lidhen me privatizimin e ish-klubit Sportiv Parizani. Përveç dyshes Berisha-Malltezi, nën akuzë janë edhe Fatmir Bektashi, Andja Pustina dhe Xhimi Begeja./ZËRI

Poll

MOS HUMB