TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të pushojë çështjen penale ndaj ish-kreut të Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyraj, dhe personave të tjerë të pandehur në këtë procedim. Vendimi vjen pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila kishte kërkuar pushimin e hetimeve, duke argumentuar se nga hetimet nuk janë evidentuar elementë të mjaftueshëm për vijimin e akuzës.
Më herët, GJKKO i kishte lënë SPAK-ut një afat prej 45 ditësh për administrimin e një akti ekspertimi të kryer nga ekspertë të licencuar. Edhe pas përfundimit të këtij procesi, Prokuroria e Posaçme arriti në përfundimin se Myzyraj nuk kishte kryer shkelje penale. Përveç Myzyrit, SPAK kërkoi pushimin e çështjes edhe për Vilma Zhupaj, Lindita Skeja, Merita Zeqaj dhe Enkeleda Bega, kërkesë që u miratua nga gjykata.
Ish-kreu i Prokurimeve Publike u hetua për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Përveç tij, nën hetim kanë qenë edhe anëtarët e KPP-së, Vilma Zhupaj, Lindita Skeja, Merita Zeqaj dhe Enkeleda Bega.
Bëhet fjalë për një procedurë prokurimi të ARRSH-së me fond mbi 219 milionë lekë, për mirëmbajtjen e rrugës që kalon nga Rrësheni në Shpal dhe zona të tjera përreth. Gjatë shqyrtimit të procedurës së mësipërme, Komisioni i Prokurimeve në mënyrë të paligjshme ka favorizuar bashkimin e dy operatorëve ekonomike ku pas veprimeve hetimore ka rezultuar se kanë paraqitur dokumente të falsifikuar.
SPAK e mori të pandehur Myzyrin në qershor të vitit 2025./ZËRI