
TIRANË-Kreu i SPAK altin Dumani gjatë prezantimittë raportit vjetor në KLP, u ndal edhe tek raporti me Policinë e Shtetit. Sipas Dumanit, bashkëpunimi i SPAK me Policinë e Shtetit nuk ndodh për çdo çështje dhe ka nevojë për një përmirësim në radhët e Policisë.
Kreu i SPAK deklaroi se gjatë vitit 2024 janë arrestuar efektivë të lidhur me krimin e organizuar, por ky fakt nuk bën 'pis' Policinë e Shtetit dhe shprehet se ka një bashkëpunim të mirë mes dy institucioneve.
Altin Dumani: Raporti me policinë e shtetit është i mirë. Ne bashkëpunojmë me ta, me fazën e ekzekutimit të veprimeve penale, por edhe gjatë hetimit paraprak, jo në çdo çështje. Ka çështje që i kemi angazhuar oficerët e policisë në kryerjen e çështjeve të hetimeve që ndjekim. Ka vend për t’u përmirësuar, siç rezulton nga hetimet, edhe gjatë 2024, kemi pasur procedime penale që janë arrestuar punonjës të policisë së shtetit të lidhur me krimin e organizuar, pjesë të grupeve kriminale, funksionarë të nivelit të mesëm apo të lartë të policisë të përfshirë në krim, siç ka pasur raste edhe për prokurorë apo edhe gjyqtarë. Por patjetër, ky fakt që janë proceduar punonjës të policisë për vepra penale të ndryshme, qoftë për krim të organizuar apo korrupsion, nuk bën pis të gjithë policinë e shtetit. Kemi një bashkëpunim të mirë por ka nevojë për përmirësim.