Aktualitet

Sherri në gjimnazin e Fierit/ Burg për 17-vjeçarin: Jam në ankth! I plagosuri: Më postonte fotot në 'Snapchat'

Autori i plagosjes, nuk ka pranuar të flasë

F.I
Sherri në gjimnazin e Fierit/ Burg për 17-vjeçarin: Jam në
17-vjeçari

FIER- Gjykata e Fierit ka lënë në burg 17-vjeçarin që plagosi me thikë shokun e tij të klasës, në shkollën e mesme "Mustafa Hoxha" në Cakran të Fierit, pas një konflikti për publikimin e fotove në rrjetet sociale. Avokati mbrojtës ka kërkuar masë më të lehtë sigurie, atë të arrestit në shtëpi, por gjykata ka vendosur që adoleshenti të qëndrojë në burg. Autori i plagosjes, nuk ka pranuar të flasë, pasi është shprehur se nuk është në gjendje.

Jam në ankth”,-ka deklaruar ai para dogave të zeza.

Sa i përket të plagosurit, Ydo Xhafa, bëhet me dije se ai ndodhet ende në spital, por pa rrezik për jetën. Sipas dëshmisë së tij, konflikti ka nisur një muaj më parë pas postimit të disa fotove në rrjetet sociale.

Dëshmia e Ydo Xhafës:

"Ai nxori biçakun, gjithmonë e mbante biçakun me vete. Më goditi në shpatull dhe në këmbë. Unë u shmanga, u futa në klasë dhe mbylla derën, për fat të keq nuk e mbaja dot derën për shkak të shpatullës. Ai e hapi derën, në atë moment vjen mësuesja dhe më shpëtoi nga ai djalë. Gjithçka nisi duke më bërë foto mua, familjes time dhe shkove të mi, gjithashtu edhe familjes së atyre. Hidhte nëpër telefon foto, ka një muaj ky muhabet, nuk u mbyll me fjalë dhe jemi këtu ku jemi sot. Vuante nga sëmundja besoj, nuk është mirë nga trutë. Nuk është herë e parë që e bën. Ka ndodhur edhe herë tjetër. Kam njoftuar profesorin dhe më ka thënë që është i sëmurë nga mendorja, më ka thënë që i kemi thënë edhe të atit të tij”, tregoi 17-vjeçari.

Njoftimi i Prokurorisë Fier:

Konflikti mes të miturve në Shkollën ‘Mustafa Hoxha’, Prokuroria Fier kërkon ‘Arrest në burg’ për të miturin e dyshuar për ‘Vrasje me dashje’ e mbetur në tentativë Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier, paraqiti kërkesën për masë sigurimi për të miturin B.D që goditi me mjet prerës bashkëmoshatarin e tij.

Kjo prokurorin regjistroi procedimin penal nr.1933/2024 në ngarkim të të miturit në konflikt me ligjin B. D., si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, parashikuar nga nenet 76 dhe 22 të Kodit Penal.

Procedimi lidhet me ngjarjen e ndodhur në orën 07.50 në gjimnazin “Mustafa Hoxha” në fshatin Cakran të Bashkisë Fier, në korridorin e katit të tretë dhe më pas në njërën nga klasat. Nxënësit B.D. dhe H.Xh., janë konfliktuar fizikisht dhe nxënësi B.D. ka nxjerrë nga xhepi një mjet prerës duke i shkaktuar të miturit tjetër katër dëmtime në shpatullën e majtë dhe një në pjesën e poshtme të këmbës. Konflikti është ndërprerë si pasojë e ndërhyrjes të mësueses kujdestare.

Menjëherë pasi është marrë dijeni për ngjarjen, është ngritur grupi hetimor nën drejtimin e prokurores së gatshme. Janë kryer veprimet e para hetimore si këqyrja e vendit të ngjarjes, sekuestrimi i celularëve dhe provave të tjera materiale, pyetja e Zv/ Drejtoreshës, e disa mësuesve dhe oficerit të sigurisë së shkollës, intervistimi i të miturve duke garantuar zbatimin e dispozitave të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, etj. Nga materiali hetimor i administruar, rezulton se motivi i dyshuar i konfliktit është publikimi i disa fotove në rrjetin social Snapchat, pa pëlqimin e të miturit të dëmtuar.

Nga ana e prokurorisë është paraqitur kërkesa në Gjykatë për vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, si dhe po kryhen veprime të mëtejshme hetimore. Kërkesë e cila është miratuar nga Gjykata. Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin e shpejtë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë krime kundër të miturve, me qëllim mbrojtjen e interesit më të lartë të të miturve dhe parandalimin e këtyre ngjarjeve në të ardhmen.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e të premtes në fshatin Cakran. Gjatë marrjes në pyetje nga Policia, raportohet se autori ka deklaruar se janë zënë sapo kanë hyrë në oborr të shkollës, pasi kishin debatuar për një postim në rrjetin social Snapchat. Nga ana tjetër, Xhafa tha se sherri nisi 10 minuta para se të fillonte mësimi dhe arsyeja e konfliktit ishte se autori kishte foto të familjarëve të tij, ku shprehej se do i publikonte. Në tentativë për t'i marrë telefonin për t'i fshirë fotot, autori e ka plagosur./ZËRI

Poll

MOS HUMB