Aktualitet

Përfundimi i mandatit të Holta Zaçaj, Gjykata Kushtetuese shtyn seancën

Seanca u shty për të martën e 17 dhjetorit, në orën 13:00. 

F.I
Përfundimi i mandatit të Holta Zaçaj, Gjykata Kushtetuese shtyn
Holta Zaçaj

TIRANË-Gjykata Kushtetuse nuk doli me një vendim në lidhje me mbarimin e mandatit të Kryetares Holta Zaçaj. Seanca u shty për të martën e 17 dhjetorit, në orën 13:00. Duke marrë parasysh se të enjten nuk u mor asnjë vendim, sot ishte vendosur që të bëhet mbledhja e gjyqtarëve për të shqyrtuar kërkesën e saj dhe për të deklaruar përfundimin e mandati, por sërish mandatit i Zaçajt ngeli në pikëpyetje.

Me anë të një njoftimi Gjykata thotë se administroi praktikën dokumentare të Gjykatës së Lartë, që ka shoqëruar procedurën për plotësimin e vendit vakant dhe zgjedhjen e zonjës Holta Zaçaj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, si dhe njoftimin e Kryetarit të asaj gjykate për hapjen e procedurës për zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese, të cilat, mbi bazën e kërkesës së Gjykatës, janë dërguar zyrtarisht nga Gjykata e Lartë ditën e premte, datë 13.12.2024, ora 16:30.

“Gjykata vlerësoi që aktet në fjalë t`i komunikohen gjyqtares Holta Zaçaj, njëherazi edhe Kryetarja e Gjykatës, e cila ka vënë në lëvizje këtë proces, me qëllimin për t`u njohur dhe për të vlerësuar paraqitjen e një opinioni me shkrim në lidhje me to”,-thuhet në njoftim.

Për këto arsye, Gjykata vendosi të shtyjë seancën për ditën e nesërme. Do të duhen 5 vota të gjyqtarëve, nga 8 që ka në organikë Gjykata Kushtetuese për të përfunduar mandatin e saj. E njëjta procedurë pritet të ndiqet edhe për dy mandate të tjera, Elsa Toskës, e cila u dorëhoq nga posti i saj, por edhe për Sonila Bejtjan. 

Katër ditë më parë (12 dhjetor) Zaçaj deklaroi kërkesën për ta përfunduar mandatin në Kushtetuese, pasi u përplas me Gjykatën e Lartë, duke pretenduar se mandati i mbaron në fund të vitit të ardhshëm dhe jo në mars, siç parashikohet në skemën e ripërtëritjes, mbi një datë që edhe vetë ajo kishte firmosur në momentin që aplikoi si kandidate në Kushtetuese. 

Më 10 dhjetor, Gjykata e Lartë, përmes kryetarit Sokol Sadushi, këmbënguli se mandati i Zaçajt përfundonte në pranverën (më konkretisht në mars) të vitit 2025. Duke iu referuar kohës se kur duhet ta kishte përfunduar mandatin paraardhësja e Zaçajt, Vitore Tusha, Gjykata e Lartë njoftoi shpalljen e vakancës dhe çeljen e garës për vendin e të parës së Kushtetueses. Por pas njoftimit se mandati i mbaronte në mars të vitit që po vjen, reagoi Zaçaj, e cila arsyetoi se mandati i saj përfundon në fund të vitit 2025. Ndaj në këto kushte u shpreh se ishte e gatshme që të kërkonte një mendim edhe nga Komisioni i Venecias mbi mënyrën e llogaritjes së kohëzgjatjes së afateve të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.

“Siguria e mandatit kushtetues është thelbësor për vetë demokracinë”, thuhet në reagimin për shtyp të shpërndarë nga Gjykata Kushtetuese në emër të Zaçaj.

Por qëndrimi i Zaçajt për afatet u prit me kritika, ndërsa ajo u akuzua se nuk po i qëndronte asaj që kishte pranuar në aplikim në vitin 2022 që ishte e qartë, të mbante mandatin që duhet të çonte deri në fund Vitore Tusha. Por sërish,në reagim publik, Zaçaj thotë se në aplikim ajo i është referuar termave të njoftimit të vakancave të shpallura nga Gjykata e Lartë duke pretenduar se afatet e përcaktuara në këtë njoftim nuk janë të sakta dhe se as nuk janë përcaktuese./ZËRI

Poll

MOS HUMB