
TIRANË- Gjykata e Lartë ka njoftuar se ka nisur procedurat e aplikimit për një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese, duke konfirmuar vakancën pas mbarimit të mandatit të Holta Zaçajt. Kryetarës së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj i mbaron mandati më 10 mars të vitit 2025 dhe nuk ka pranuar të largohet nga detyra. Nga ana tjetër, Gjykata e Lartë deklaron se Zaçaj ishte në dijeni për afatin e caktuar para se të aplikonte për të zëvendësuar Vitore Tushën në Gjykatën e Lartë.
Ndërsa, Zaçaj lajmëroi se do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për të marrë mendimin e ekspertëve se kur i mbaron afati.
Ndërsa sipas 'Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese' afati i fundit për të ishte deri më 10 dhjetor, ku kryetarja e këtij institucioni, pra Holta Zaçaj të mblidhte 7 anëtarët e mbetur të Gjykatës për të deklaruar përfundimin e mandatit të saj. Ky ishte edhe interpretimi i bërë nga Gjykata e Lartë. Por duke qenë se nuk ka ushtruar një mandat të plotë, pasi zëvendësoi në detyrë Vitore Tushën, Holta Zaçaj ka vendosur që të kërkojë opinion nga Komisioni i Venecias në lidhje me interpretimin e afatit kushtetues të qëndrimit të saj në detyrë. Kjo pasi, po sipas saj, nuk ka asnjë dispozitë që i cakton një datë për përfundimin e detyrës. Bazuar në rregullat e përgjithshme juridike për llogaritjen e afateve, si afat fundor i ushtrimit të detyrës do të duhet të konsiderohet fundi i vitit 2025. Por llogaria është bërë me mandatin e Tushes, jo të kryetares aktuale të Gjykatës Kushtetuese.
Por kush është Holta Zaçaj?
Holta Zaçaj ka lindur më 12 janar 1976 në Tiranë, ndërsa është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, në vitin 1998. Në periudhën 2007-2008 ka kryer masterin shkencor për “Titujt dhe rregullimet financiare”, në Universitetin e Georgetoën në SHBA, në kuadër të programit Fullbright. Nga viti 2008, krahas angazhimit në shoqërinë civile si avokate dhe eksperte e të drejtave të njeriut, ka punuar si avokate në zyrën e avokatisë “Delegibus Consulting” sh.p.k. dhe nga viti 2018 ka ushtruar profesionin e avokatit edhe në shtetin e Massachusetts, SHBA, në zyrën ligjore ”Ligris and Associates” dhe “Zaçaj Law”.
Në periudhen 2009-2013, Zaçaj është angazhuar si lektore në Shkollën e Magjistraturës në trajnimin fillestar, në të drejtën familjare dhe në trajnimin vazhdues në fushën e së drejtës familjare dhe të të drejtave të fëmijëve, si dhe lektore e së drejtës bankare dhe financiare në disa universitete private në Shqipëri, në periudhën 2009-2014. Holta Zaçaj u zgjodh më janar 2023 nga Gjykata e Lartë si anëtare e Gjykatës Kushtetuese për të plotësuar vendin vakant që i përkiste Vitore Tushës. /ZËRI