
DURRËS- Një ngjarje e rëndë ndodhi në Durrës, ku një 35-vjeçar shtyu për vdekje shokun e tij 33 vjeç. Majlind Habibi ka dëshmuar në Polici se nuk kishte qëllim të vriste Brako Shkozën, por e shtyu duke menduar se do të dilte nga uji. Habibi dëshmoi se Shkoza i ngacmonte bashkëshorten, dhe ky i kërkoi të mos e bënte më. Autori tha se viktima i kishte thënë se bashkëshortja e tij i zgjidh vet problemet, kjo deklaratë e tij ka nxehur Habibin, i cili e kishte shtyrë drejt kanalit.
“Nuk kam dashur ta vras Brankon, por e kam shtyrë duke menduar se ai do të mund të dilte nga uji, sepse aty është cekët. Isha i nxehur për shkak se ai më kishte ngacmuar gruan. I thashë të mos e ngacmonte më. Ai më tha gruaja jote i zgjidh vetë problemet e veta. Në këto kushte e shtyva. Të nesërmen mora vesh që nuk kishte shkuar në shtëpi dhe i familja po e kërkonte. Shkova te kanali dhe pashë që ndodhej i mbytur në ujë disa metra më larg. U pendova për veprimin tim. Më vonë shkoi policia atje dhe pashë një ambulancë që e mori. Mendova që nuk do merrej vesh ajo që kisha bërë, por do merrej si një rënie nga pakujdesia”, ka dëshmuar Majlind Habibi.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur më datë 2 dhjetor dhe Habibi e fshehu vrasjen për 8 ditë, derisa u zbulua nga procesi hetimor se ai qëndronte pas kësaj vrasje. Shkoza, u raportua i zhdukur nga babai i tij më 4 dhjetor, i cili dëshmoi se kishte humbur kontaktet me të birin që prej datës 2 dhjetor. Policia gjeti trupin e viktimës më datë 5 dhjetor, ku nga hetimet paraprake dyshohej se ai kishte vdekur në mënyrë aksidentale. Pas hetimeve u konstatua se i riu ishte shtyrë nga ura, ku si pasojë ndërroi jetë. Habibi është arrestuar sonte nga efektivët e Policisë. /ZËRI