
TIRANË-Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi është paraqitur ditën e sotme në GJKKO, ku u shqyrtua ankimi i për sekuestron e vilës së saj dhe të nënës. Seanca është shtyrë për ditën e nesërme, ku do të jepet vendimi për ankimimin e sekuestrimit të vilave. Seanca do të mbahet gjatë paradites, në orën 11:00.
Në fjalën e saj për gazetarët, Kryemadhi u shpreh se prokuroria nuk kishte marrë ekspertë dhe u shpreh se kjo çështje do të shkonte në Strasburg.
"Ngrita një pyetje, prokurorët e SPAK kanë marrë kredi i japin me qera dhe marrin nga 3 shtëpi është e paligjshme? Mamaja ime e ka blerë me kredi dhe jeton aty. Prokuroria nuk ka marrë ekspertë financiarë, qëndruan në kuadrin e thashethemeve gazetareske. Atë ditë që kemi pasur gjyqin në Apel 5 minuta para se të hy në gjyq 10 policë zbarkuan në shtëpinë time, ishte një skenar interesant për të krijuar presion psikologjik, kanë ardhur edhe ditën tjetër, u vendos proces verbali u firmos nga unë dhe mamaja ime, erdhën dhe të agjencisë së sekuestros, duhet të dalim nga shtëpia, prokurori dhe gjyqtarja thanë a është e ligjshme prona që ata jetojnë, po tha, por mendojmë se duhet të dalim nga shtëpia. Pas sekuestrimit të vilave do të jetojmë me çadër, po ato që jetojnë me çadra nga tërmeti. Do marrim një kontejner, do të na japë dikush një tokë ku do të vendosim kontejnerin,"-deklaroi deputetja.
Ndryshe nga herët e tjera ajo që u vu re, është se Kryemadhi ditën e sotme u paraqit në gjykatë me një bastun.
'Ju e dini që unë bëj shumë palestër, e kam vrarë gjurin në palestër. Vuaj nga menisku, gjithsesi më pëlqen shumë ky bastuni, është bërë edhe trend,'-u shpreh Kryemadhi.
Gati një muaj më parë, Policia e Shtetit arrestoi ish-presidentin e vendit Ilir Metën, pasi ai akuzohet nga SPAK për veprat penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Por Meta nuk është i vetmi që ka rënë në rrjetën e SPAK, në “arrest shtëpie” është caktuar Pirro Xhixho (babai i Erisa Xhixhos), ndërsa edhe pse me të njëjtat akuza me Metën, është lënë në “detyrim paraqitje” për shkak të gjendjes së saj shëndetësore. Mbi Kryemadhin rëndojnë të njëjtat akuza si të Metës./ZËRI