
FIER- 17-vjeçari që plagosi me thikë shokun e tij të klasës është arrestuar. Policia bën me dije se B.Dalani është arrestuar sot. Mbi të rëndojnë akuzat “vrasje me dashje” e mbetur në tentativë. Sa i përket të plagosurit, Ydo Xhafa, bëhet me dije se ai ndodhet ende në spital, por pa rrezik për jetën.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier arrestuan autorin e dyshuar, shtetasin e mitur, B. D., 17 vjeç, për veprën penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë”, njofton policia.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e të premtes në fshatin Cakran. Gjatë marrjes në pyetje nga Policia, raportohet se autori ka deklaruar se janë zënë sapo kanë hyrë në oborr të shkollës, pasi kishin debatuar për një postim në rrjetin social Snapchat. Nga ana tjetër, Xhafa tha se sherri nisi 10 minuta para se të fillonte mësimi dhe arsyeja e konfliktit ishte se autori kishte foto të familjarëve të tij, ku shprehej se do i publikonte. Në tentativë për t'i marrë telefonin për t'i fshirë fotot, autori e ka plagosur./ZËRI