
ELBASAN- Është arrestuar në Cërrik personi i dytë i shpallur në kërkim në lidhje me sekuestrimin e 1 ton kanabis në Pejë. Policia njofton se në pranga është vendosur 33-vjeçari Albano Saliu me qëllim ekstradimin në Kosovë. Ai akuzohet nga Gjykata e Pejës për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Njoftimi i policisë:
I akuzuar nga Gjykata e Pejës, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, kapet dhe vihet në pranga, me qëllim ekstradimin në Kosovë, 33-vjeçari.
Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve dhe koordinimit të punës, ndërmjet Komisariatit të Policisë Cërrik dhe agjencive ligjzbatuese në Kosovë, u mundësua kapja dhe arrestimi, me qëllim ekstradimin në Kosovë, i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar:
A. S., 33 vjeç, banues në Cërrik.
Gjykata Themelore e Pejës i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve të hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, parashikuar nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
Në lidhje me laburatorin e kanabisit të zbuluar në Pejë, është vënë në pranga në Elbasan edhe Erion Etemaj. Në lidhje me ngjarjen Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë nga Shqipëria, të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në rastin e laboratorit të drogës. Bëhet fjalë për Ëngjëllush Ibrahimin dhe Eldi Mykaj./ZËRI