
TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka çuar për gjykim dosjen e të penduarit të drejtësisë Amarildo Nikolli (Xhanejn). Nikolli akuzohet për armëmbajtje pa leje në kuadër të grupit kriminal, dhe dyshohet se qëndron pas atentatit të dështuar ndaj Inez Hajrullës dhe Ervis Matodoshajt. Sipas SPAK, eleminimi i dy personazheve të njohur në Vlorë, do të bëhej për hakmarrje, dhe për dominimin e tregut të lojërave të fatit.
Nikolli ishte pjesë e grupit kriminal të Leonard Luzit, i cili sipas SPAK është financuar nga një person ende i paidentifikuar për të kryer vrasjen e Ervis Matodashajt dhe Inez Hajrullës. Për këtë qëllim, Leonard Luzi ka krijuar një grup të strukturuar kriminal, pjesë e të cilit janë Amarildo Nikolli, që do të ishte ekzekutori material i veprës penale, si dhe Muharem Koroveshi e Erio Zejno, në rolin e ndihmësit. Koroveshi dhe Zejno kanë sjellë armët në banesën e Nikollit në Vlorë dhe kanë ndihmuar në terren me gjetjen e objektivëve të atentatit, si dhe do të ndihmonin ekzekutorin Amarildo Nikolli, në largimin nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së vrasjes. Por plani dështoi, pasi Nikolli, i njohur me nofkën “shkodrani” u arrestua në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë.
Ky i fundit, kishte tërhequr vëmendjen e uniformave blu të qytetit, pasi në një ditë të nxehtë gushti, qarkullonte nëpër Vlorë i veshur me një xhup për të fshehur tatuazhet që kishte në trup. Por metoda që zgjodhi për të mos u identifikuar nga kamerat e sigurisë në zonë, e evidentoi tek efektivët e Policisë që ndërhynë në kohë për të ndalur atentatin. /ZËRI