
TIRANË- Katër persona janë marrë të pandehur dhe janë dërguar për gjykim pasi SPAK ka mbyllur hetimet për atentatin e dështuar ndaj Inez Hajrullës dhe Ervis Matodoshajt. Sipas SPAK, eleminimi i dy personazheve të njohur në Vlorë, do të bëhej për hakmarrje, dhe për dominimin e tregut të lojërave të fatit. Një prej tyre është Leonard Luzi, i cili sipas SPAK është financuar nga një person ende i paidentifikuar për të kryer vrasjen e Ervis Matodashajt dhe Inez Hajrullës. Për këtë qëllim, Leonard Luzi ka krijuar një grup të strukturuar kriminal, pjesë e të cilit janë Amarildo Nikolli, që do të ishte ekzekutori material i veprës penale, si dhe Muharem Koroveshi e Erio Zejno, në rolin e ndihmësit. Koroveshi dhe Zejno kanë sjellë armët në banesën e Nikollit në Vlorë dhe kanë ndihmuar në terren me gjetjen e objektivëve të atentatit, si dhe do të ndihmonin ekzekutorin Amarildo Nikolli, në largimin nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së vrasjes. Por plani dështoi, pasi Nikolli, i njohur me nofkën “shkodrani” u arrestua në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë.