
TIRANË-Emisioni Piranjat ka depozituar në SPAK padi ndaj kryetares së komanduar të Bashkisë Tiranë, Anuela Ristanit. Sipas padisë, kallëzimi është bërë për shpërdorim detyre dhe shpifje.
Në reagimin e emisionit thuhet se kallëzimi për shpërdorim detyre është detyrim ndaj interesit publik të cilin kryetarja duhet të përfaqësojë, ndërsa ai për shpifje lidhet me etiketimet e saj ndaj Piranjave si “përndjekëse”, “shantazhuese” dhe “gjobaxhie”.
POSTIMI I PLOTË:
Sot Piranjat depozituan në SPAK padi ndaj kryetares së komanduar të Bashkisë Tiranë, Anuela Ristanit, për shpërdorim detyre dhe shpifje. Kallëzimi për shpërdorim detyre sigurisht që është detyrim ndaj interesit publik të cilin zonja kryetare duhet të përfaqësojë, ndërsa ai për shpifje lidhet me etiketimet e saj ndaj Piranjave si “përndjekëse”, “shantazhuese” dhe “gjobaxhie”.
Është detyrim i yni profesional t’u shkojmë deri në fund këtyre akuzave për të nxjerrë të vërtetën, për të vërtetuar para publikut se çfarë fshihet pas tyre, viktimizimi i një politikaneje apo përpjekja për t’i mbyllur gojën medias investigative.
Po ashtu besojmë se ky është një standard i ri, ndoshta i domosdoshëm, për të gjitha mediat televizive apo të shkruara. Ne inkurajojmë kolegët që të jenë të gatshëm të mbrojnë veten ligjërisht dhe të faktojnë çdo investigim të tyrin. Vetëm kështu mund të dalim nga rrethi vicioz politiko-mediatik i realitetit kaotik të Shqipërisë së viteve të fundit.
Çfarë ndodhi?
Anuela Ristani, kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë ka qenë kryefjala e emisionit investigative “Piranjat”, episod që u transmetua mbrëmjen e 6 qershorit, ku trajtohej vënia e mjeteve në pronësi të Bashkisë Tiranë, në dispozicion të familjes Ristani. Gazetari Edon Kuqi përballet me Risatnin, por nuk merr përgjigje për përdorimin e mjeteve. Mes gazetarit dhe Ristanit u zhvillua një debat verbal që arrin deri në pikën që kryetarja në detyrë e Bashkisë Tiranë e quan ‘kriminel’ e ‘pedofil’. Me telefon në dorë, Ristani filmon gazetarin dhe fokusohet vetëm tek pjesa që stafi i “Piranjave”, kanë përndjekur fëmijën e saj.
Pas debatit Ristani zotohet se do ta ndjekë këtë çështje deri në fund, me gjyq. Ndërkohë, kreytarja ka marrë një përgjigje nga Taulant Koplikaj, drejtuesi i programit “Piranjat”, i cili shkruan se në çdo vend normal, pas transmetimit të pamjeve, kryetarja duhej të jepte dorëheqjen dhe të ndiqej penalisht për shpërdorim detyre./ZËRI