
TIRANË-Ka nisur seanca në GJKKO për dosjen ‘5D’. Në seancë mungojnë tre të paraburgosurit Redi Molla, Taulant Tushe dhe Mariglen Qato. Avokati mbrojtës i Redi Mollës ka kërkuar të ketë gjykim të drejtë dhe të paanshëm, duke parashtruar akuzat e klientit të tij. Denjon Bogdani, mbrojtësi ligjor i Redi Mollës, kërkuar gjykim të shkurtuar.
Mbrojtësi ligjor i Mollës ka kundërshtuar akuzat e SPAK, duke thënë se të dhënat janë të gabuar dhe se provat e vetme janë disa blloqe shënimesh dhe disa biseda telefonike mes të tretëve, jo vetë Redi Mollës.
Denjon Bogdani, mbrojtësi ligjor i Redi Mollës: Në këtë proces ne kërkojmë të ketë gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Lidhur me akuzat, shtetasi Redi Molla akuzohet për 7 episode korrupsioni, 4 të kryera në bashkëpunim me Mariglen Qaton dhe 3 i vetëm. Redi Molla akuzohet se ka korruptuar veten e tij, ky është thelbi i akuzës sepse në 3 raste nuk ka bashkëpunuar. Redi Molla pretendohet se është pronar faktik i 5D. Ku mbështetet prokuroria te pronari faktik? Mbështetet te disa blloqe shënimesh dhe disa biseda në telefon, tek persona të tretë, jo nga vetë Redi Molla. Pronari faktik në tërësinë e tij është hipotetik. Akuza i ka të dhënat e gabuara dhe ka arritur në konkluzion të gabuar lidhur me të mbrojturin që në përfaqësojmë. Të gjitha mesazhet që i referohet akuza, janë të vitit 2023. Në 7 episode, i fundit në të cilin Molla ka qenë drejtues i entit prokurues, daton në vitin 2020. Si e lidh prokuroria të qenurit pronar në 2020? Apo në 2016 kur është krijuar Igor Electrik Vas Construcion? Dhe lidhur me akuzën e pastrimit të parave, a është e provuar që Redi Molla është pronar faktik? Absolutisht që jo. Çfarë veprimesh konkrete ka patur në fshehjen e të ardhurave? Një lidhje të drejtpërdrejtë që të jetë gjendur nga prokuroria nuk ka. Në lidhje me kërkesën për prova, ne nuk kemi sepse kemi kërkuar gjykim të shkurtuar. Në lidhje me ato që ka paraqitur organi i akuzës, 63 dëshmitarë ka renditur edhe provat shkencore dhe kërkon që dëshmitarët të thirren në bazë të kësaj liste. Renditja e tyre nuk është e saktë, i takon prokurorisë t’i grupojë sipas episodeve. Minimalisht prokuroria duhet të thotë pse i kërkon këto dëshmitarë? Çfarë provojnë ata? Kjo është mangësi që akuza duhet ta plotësojë.
Ky është fraksioni i parë i dosjes “5D” ku janë të pandehur ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato dhe Redi Molla nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Qato dhe Molla po gjykohen për veprat penale të korrupsionit pasiv, mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash. Të akuzuarit e tjerë Taulant Tushe, Nestor Muhametllari, Albano Janku, Julian Zanaj dhe Enton Punavia gjykohen për shkelje të barazisë në tenderë.
Zyrtarët e Bashkisë së Tiranës Bashkisë akuzohen nga Prokuroria e Posaçme, se kanë lehtësuar një skemë korrupsioni që ka mundësuar përfitimin e dhjetëra tenderave publikë nga një kompani private, që dyshohet se zotërohet “de facto” nga Redi Molla dhe Mariglen Qato, i pari ish-drejtor i Ujësjellësit të Tiranës dhe i dyti ish-drejtues i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, aktualisht administrator i ndërmarrjes së Bashkisë, Tirana DC.
SPAK përfundoi hetimet paraprake më 8 janar të këtij viti për fraksionin e dytë të dosjes ‘5D’, duke marrë të pandehur 9 zyrtarë të bashkisë së Tiranës të akuzuar për “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim.
SPAK pretendon se ka provuar se anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, nuk kanë ushtruar në përputhje me ligjin detyrën e tyre për vlerësimin dhe klasifikimin e ofertave, por kanë vlerësuar dhe klasifikuar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik bashkimin e operatorëve ekonomikë “V.A.S Konstruksion” sh.p.k dhe “Rroku Guest”, të cilët kanë qenë të paracaktuar për t’u shpallur fitues nga e pandehura Eglantina Zere ku përfitues të tenderave ishin drejtorët e bashkisë, njëherësh pronar faktik të kompanisë “5D”./ZËRI