
BRITANI E MADHE- Kontrabandistët po shfrytëzojnë kufirin midis Britanisë dhe Irlandës për të futur emigrantë të paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar. Një hetim i "Telegraph" tregon se bandat shqiptare po kërkojnë 4,000 paund për të futur emigrantët nga "dera e pasme" e Anglisë. Bandat u japin emigrantëve karta identiteti italiane të falsifikuara që i përdorin për të fluturuar drejt Irlandës. Skema e mashtrimit tani po promovohet në Facebook. Reklamat u ofrojnë emigrantëve shqiptarë mundësinë për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar me aeroplan, kamion ose jaht.
Në një postim në një grup në Facebook të titulluar “Shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar”, një kontrabandist njerëzish tha: Kush do të shkojë në ishull dhe t’i bashkohet familjes së tij? Ne kemi mënyrat më të mira dhe ofertat super.
Një gazetar i infiltruar, që hiqej si një emigrant i paligjshëm kërkoi ndihmë dhe iu tha: Do të doja t’ju sugjeroja mënyrën më të mirë – me aeroplan nga Italia. Shpresoj se të udhëtuar në të kaluarën me aeroplan dhe nuk keni ndonjë urdhër ndalimi për të hyrë në BE. Dërgova një çift dhe një fëmijë një javë më parë. Shkoi shumë mirë. Nga Italia, shkoni në Dublin, Irlandë, dhe pastaj në Mbretërinë e Bashkuar. Kushton 4,000 £ për person. Paratë duhet të paguhen në Shqipëri. Ne ju dërgojmë nga Shqipëria në Itali me pasaportat tuaja shqiptare, pastaj nga Italia në Dublin me karta identiteti italiane. Do të qëndroni maksimumi një ose dy ditë në Napoli. Dokumentet e identifikimit janë italiane. Ato janë të vërteta dhe i ngjajnë personit që udhëton. Askush nuk do t'ju prekë te portat. Ne kemi informacion dhe personin tonë atje. Në Dublin, ju kërkoni azil me pasaportën shqiptare, pastaj shkoni në Irlandën e Veriut dhe udhëtoni për në Mbretërinë e Bashkuar. Me të mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar, nuk ka kontroll pasaportash. Mos u shqetësoni për këtë. Ajo familje që ju përmenda shkoi në Dublin me easyJet.
Një tjetër reklamë në një grup në Facebook të titulluar “Puno në Mbretërinë e Bashkuar”, me 17,800 anëtarë, u postua më 7 qershor: Kamion, jaht dhe aeroplan. Çmimet më të mira për ata që dëshirojnë të shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar.
Një i tretë në të njëjtin grup kërkoi 5,000 paund.
NCA po punon me kompanitë e mediave sociale për të hequr reklamat që promovojnë migracionin e paligjshëm, me një rekord prej 8,000 reklamash të hequra vitin e kaluar. Meta tha se i kishte hequr postimet pasi u njoftua për to nga "The Telegraph"./ZËRI