
KORÇË-Në Gjykatën e Shkallës së Parë në Korçë u zhvillua masa e sigurisë për policët e Kapshticës të arrestuar nga Agjencia e mbikëqyrjes Policore si dhe për autorin, i cili u kap duke transportuar me automjetin e tij 6 kilogramë heroinë. Togat e zeza e kanë kosideruar si të paligjshëm prangosjen e tre inspektorëve dhe nënkomisarit, ku në përfundim të seancës, e cila ka zgjatur për 4 orë e 20 minuta, vendosi lirimin e tyre dhe për pezullimin nga detyra.
Gjykata në përfundim të seancës vendosi vleftësim si të paligjshëm të arrestimit të policëve si dhe pezullim nga detyra për:-
1.N/komisar Ylli Dushku me detyre Pergjegjes Turni ne PKK Kapshtice
2.Inspektor Franc Bylyku me detyre N/specialist kontrollor ne PKK Kapshtice
3.Inspektor Lirim Hymetllari me detyre Trupe sherbimi ne PKK Kapshtice
4.Inspektor Denion Myteberi me detyre Trupe sherbimi kontroll vija e dyte ne PKK Kapshtice
Ndërsa për drejtuesin e mjetit, Valmir Balliu, në automjetin e të cilit u gjetën 6 kg e 134 gr lëndë narkotike “heroinë", Gjykata vendosi masën arrest me burg. Ndaj Valmir Balliut rëndon akuza për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve” mbetur në tentativë. Hetimet për këtë rast po kryen nga Prokuroria e Korçës, për zbulimin e personave të tjerë që kanë bashkëpunuar me Valmir Balliun, me qëllim realizimin e trafikut të heroinës nga Shqipëria në drejtim të Greqisë.
Operacioni anti-drogë në pikën e kalimit kufitar të Kapshticësu zhvillua më 7 qershor, ku u përfshinë edhe forca të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Në kuadër të operacionit në fjalë u arrestua Valmir Balliu, nga fshati Vërdovë i Pogradecit pasi në automjetin që ai drejtonte u kapën 6 kg e 134 gr lëndë narkotike “heroinë”. Droga ishte fshehur në një vend të përshtatur enkas në automjetin që drejtohej nga i arrestuari, i cili tentoi ta kalonte lëndën narkotike drejt Greqisë.
Valmir Balliu dyshohet si anëtar i një grupi kriminal të trafikut të lëndëve narkotike, që vepron në zonën e Korçës dhe të Pogradecit, të cilët e kanë përdorur atë si korrier për transportimin e heroinës./ZËRI