Politikë

Rregullat e reja: Borxhet e pallatit mund të bllokojnë shitjen, pronarët duhet të tregojnë kush është qiramarrësi

Njoftimi duhet të përmbajë emrin, mbiemrin, adresën e kontaktit dhe numrin e telefonit të qiramarrësit. 

F.I
Rregullat e reja: Borxhet e pallatit mund të bllokojnë shitjen,
Tirana

TIRANË-Qeveria shqiptare ka bërë publike rregulloren për administrimin e bashkëpronësisë në banesa dhe ndërtesa, e cila përcakton detyrime të reja për pronarët, qiramarrësit dhe administratorët e pallateve. Ndryshimet e reja përfshijnë identifikimin e personave që marrin banesa me qira, pagesën e tarifave të administrimit, mirëmbajtjen e ambienteve të përbashkëta dhe respektimin e qetësisë.

Konkretisht sipas nenit 41 të rregullores, pronari që jep një banesë me qira duhet të njoftojë me shkrim kryesinë dhe administratorin e pallatit. Njoftimi duhet të përmbajë emrin, mbiemrin, adresën e kontaktit dhe numrin e telefonit të qiramarrësit. 

Ndërkohë mospagimi i tarifave të administrimit të pallatit mund të sjellë bllokimin e shitjes së apartamentit në Kadastër. Sipas neneve 19 dhe 20, mospagesa mund të sjellë kamatëvonesa dhe nisjen e procedurave ligjore për ekzekutimin e detyrimit monetar. Masa mund të kërkohet në dy raste: kur pronari nuk ka paguar detyrimet për të paktën 12 muaj, ose kur borxhi i papaguar arrin të paktën 0,5% të vlerës së apartamentit.

Pas shlyerjes së detyrimeve, pronari mund të kërkojë heqjen e kufizimit duke paraqitur vërtetimin bankar të pagesës. Kadastra duhet ta heqë atë brenda pesë ditëve nga depozitimi i dokumentit, pa qenë i nevojshëm një vendim i ri nga kryesia.

Në draft përcaktohen edhe përgjegjësitë financiare për mirëmbajtjen e ashensorëve, shkallëve, tarracave, parkimeve, depozitave të ujit dhe rrjeteve të ujësjellësit e kanalizimeve.

Rregullorja përcakton se qetësia duhet të respektohet nga ora 22:00 deri në orën 06:00. Gjatë këtij intervali ndalohen riparimet, punimet e zhurmshme dhe përdorimi i pajisjeve shtëpiake që shkaktojnë zhurmë.

Poll

MOS HUMB